Site icon Telegrafi

Diplomacia e Ritës

Diplomacia si art i negocimit, në kuptimin e saj tradicional nënkupton vendosjen e marrëdhënieve të Qeverisë së një shteti me qëllim të kontaktit dhe dialogut me shtetet e tjera. Ky është parimi konvencional i diplomacisë së një shteti.

Kosova, siç e dimë të gjithë, është shtet i ri. Duke iu referuar Kushtetutës – si aktit më të lartë juridik të shtetit – shohim që Ministria e Punëve të Jashtme, së bashku me Presidentin, janë kompetent të udhëheqin me politiken e jashtme dhe promovimin e shtetit me të ri në botë.

Por, sa kanë pasur sukses në këtë drejtim?

Republika e Kosovës deri më tani është njohur si shtet i pavarur dhe sovran nga rreth 90 shtete anëtare të OKB-së. Kjo është një shumë solide për shtetin e ri, e mbase gjithë këto njohje kanë ardhur si sponsorim i shtetit më të fuqishëm në botë, SHBA-së, e jo lobimit dhe diplomacisë tonë.

Por, sot, edhe pse është njohur nga të gjitha këto vende të OKB-së, ka shumë njerëz qe pikërisht janë banorë të këtyre shteteve që nuk dinë as në hartë se ku ndodhet Republika e Kosovës.

Një mësim se ku është Kosova, shumë njerëz në botë do ta kuptojnë nga lansimi i klipit të ri të këngës “Shine ya light”, të Rita Orës, e cila me këtë gjest ka bërë një punë shumë të madhe në promovimin e imazhit të Kosovës në botë. Rita, edhe pse me pasaportë britanike , nuk e harroi vendlindjen e saj. Madje mbi NEW BORN-in, simbolin e shtetit të ri, kërceu vallen tradicionale të Shotë. Në një çast u emocionua aq shumë nga bashkëkombësit e saj, sa që filloi të qante.

Çfarë dua të them më këtë?

Sot, kur po jetojmë në një botë të globalizimit dhe të inovacioneve teknike dhe teknologjike, promovimi i diplomacisë publike, në radhë të parë i diplomacisë kulturore, duhet të jetë nga objektivat e kryesore të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kosovës, si një shtet i ri, natyrisht i duhen njohjet zyrtare të shteteve që janë anëtare të OKB-së, por jo më pak i duhet edhe shkëmbimi kulturor , akademik, sportiv e profesional, në mënyrë që të krijohet një imazh pozitiv i Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Mund të them se ka disa lëvizje në këtë drejtim, por këto janë më shumë iniciativa të individëve sesa nisma të institucioneve përgjegjëse. Festivali ”Doku Fest”, që tani më është bërë tradicional , ”Nine Eleven” që mbahet çdo vit në përkujtim të viktimave të 11 Shtatorit 2001, ”PriFest” që tani e përfundoi edicionin e sivjetmë… janë mënyra më e mirë e paraqitjes së vendit tonë, të shkëmbimit kulturor me vendet e rajonit dhe më gjerë. Po ashtu, e një rëndësie shume të madhe është edhe pjesëmarrja jonë si shtet në vendet e tjera .

Republikës së Kosovës si kurrë më parë i duhet promovimi i një imazhi sa ma të mirë në skenën ndërkombëtare, e kjo nuk mund të bëhet vetëm përmes kanaleve zyrtare. Secili nga ne ka hise në këtë mision.

Të lumtë Rita. Përmes klikimeve të klipit tuaj, nga fansat milionësh në mbarë botën, deshën apo jo, ata do ta shohin NEW BORN-in – simbolin e Republikës së Kosovës.

 

Exit mobile version