Site icon Telegrafi

Dionisi: Inter më të mirë se Juventusi, ata duken të pandalshëm

Trajneri i Sassuolos, Alessio Dionisi, beson se paraqitja e ekipit të tij ndaj Juventusit nuk do të jetë e mjaftueshme ndaj Interit nesër: “Ata janë superior, për momentin duken të pandalshëm”, u shpreh tekniku italian.

Sassuolo do të udhëtojë ditën e mërkurë në “Stadio Meazza” për tu përballur me Interin, katër ditë pas fitores me rezultat 4-2 ndaj Juventusit.

“Fitorja na ka ndërgjegjësuar dhe kemi marrë një rezultat të madh kundër një ekipi më të mirë,” tha Dionisi në konferencën për shtyp para ndeshjes.

“Ne e dimë se çfarë kemi bërë të shtunën dhe ajo nuk do të jetë e mjaftueshme ndaj Interit sepse momentalisht ata janë superior. Ata janë superior karshi të gjithëve. Ne duhet të tentojmë të bëhemi versioni më i mirë i vetvetes, ne e bëmë këtë të shtunën  dhe duhet ta bëjmë përsëri nesër ndaj një ekipi që duket i pandalshëm”, vazhdoi tekniku italian.

Tutje, Dionisi tha se është e vështirë që në San Siro të kesh kontrollin e ndeshjes për 90 minuta, si dhe bën thirrje që lojtarët e tij të përsërisin atë që bënë ndaj Juventusit.

“Është e vështirë që të shkosh në San Siro dhe të kesh kontrollin e lojës për 90 minuta. Ne do të kemi mundësitë tona. Unë dua të shoh kurajo në çdo moment të ndeshjes, ne duhet të jemi të vëmendshëm. E bëmë ndaj Juventusit dhe duhet ta bëjmë të njëjtën edhe ndaj Interit. Nuk do të jetë e lehtë sepse ata do të kenë edhe ndihmën e tifozëve. Ata janë të fortë, por ne do të mundohemi”.

Kjo ndeshje do të jetë e rëndësisë së veçantë për Davide Frattesin, i cili pak kohë më parë kompletoi transferimin nga Sassuolo tek Inter në formë huazimi një vjeçar, me obligim të blerjes së kartonit në shkurt të vitit të ardhshëm./Telegrafi/

Exit mobile version