Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në Serbi, në emër të Rrjetit të Pajtimit të KOMRA-s, prezantoi sot librin për 1,636 persona të zhdukur në gjatë luftës në Kosovë – “Dinjitet për të pagjeturit”.
Nga ky prezantim iu bë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për identifikimin e mbetjeve në morgun e Prishtinës.
Siç raporton N1, themeluesja e FDH-së, Natasha Kandiq, tha se libri është një përpjekje për të sjellë para publikut kujtimet e familjeve të të pagjeturve dhe për t’i ngritur ato në një nivel më të lartë.
“Familjet e personave të zhdukur janë në një pozicion krejtësisht të ndryshëm nga familjet që kanë varrosur të dashurit e tyre. Nuk kanë varr, nuk kanë ku të kujtojnë. Ata janë në një situatë ku kujtimi zgjat dhe jeton vetëm brenda familjes”, ka thënër Kandiq.
Ajo tha se në periudhën e kaluar ka folur me familje të shumta dhe se përshtypja më e vështirë që ka pasur ishte jeta e vështirë e atyre njerëzve.
“Kanë kaluar 25 vite, shumë baballarë dhe nëna nuk jetojnë më, disa jetojnë shumë rëndë dhe shprehen se ‘janë të vështirë për të gjithë’. Kjo është shumë e vështirë për t’u dëgjuar”, theksoi Kandiq.
Shefja e seksionit politik të delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sylvie Estriga, tha se në periudhën e kaluar është bërë shumë për të zgjidhur fatin e të zhdukurve, por se ende ka shumë familje që nuk e dinë fatin e anëtarëve të tyre, kështu që zhgënjimi i tyre është legjitim.
“Ata kanë të drejtë të informohen për fatin e më të dashurve të tyre, sepse pas atyre numrave qëndrojnë disa njerëz. Në emër të asaj çështjeje humanitare, ne duhet të shmangim politizimin dhe të fokusohemi në zgjidhjen e rasteve”, tha ajo.
Drejtori i programit të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, Matthew Holliday, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të zgjidhur fatin e eshtrave të 350 deri në 400 personave të paidentifikuar në morgun e Prishtinës.
“Ai vend është një varr masiv mbi tokë dhe autoritetet e Prishtinës duhet të bashkëpunojnë me Komisionin për Persona të Zhdukur të Serbisë për të zgjidhur fatin e atyre njerëzve”, theksoi Holliday.
Ai u bëri thirrje të dyja palëve që të dyfishojnë përpjekjet dhe bashkëpunimin në gjetjen e varrezave masive dhe në këtë mënyrë t’u japin dinjitet personave të zhdukur. /Telegrafi/