Site icon Telegrafi

Dinamizohen punimet në autostradën Prishtinë-Shkup

Punimet në autostradën Prishtinë-Shkup janë duke vazhduar në gjithë gjatësinë e mbetur, thonë zyrtarë të kompanisë, duke shtuar se ato po zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar.

Ela Ruçi, zëdhënëse në kompaninë “Bechtel- Enka”, kompani fituese për ndërtimin e autostradës “Arbër Xhaferi”, thotë se me ngritjen e temperaturave janë intensifikuar edhe punimet.

Aktualisht, në këtë projekt janë duke punuar rreth 800 punëtorë.

“Sigurisht që në sezonin e verës rritet edhe aktiviteti ndërtimor. Objektivat tona janë që të punohet në të gjithë gjatësinë, në mënyrë që të kapim afatet tona”, thotë Ruçi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe zyrtarë të Qeverisë pohojnë se ecuria e punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, që lidh Kosovën më Maqedoninë, po zhvillohen sipas dinamikës se paraparë.

Ramë Çupeva, drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se në aspektin teknik nuk do të ketë probleme në përfundimin e punëve.

Realizimi i këtij projekti ka filluar në vitin 2014, kurse punët sipas planit duhet të përfundojnë në fillim të vitit 2018. Por, kjo varet edhe nga mundësitë buxhetore.

Ky projekt buxhetit të Kosovës i kushton rreth 600 milionë euro.

Me përfundimin e autostradës, Kosova përmbush objektivat për ndërtim të korridoreve evropiane të përcaktuara në Forumin e Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor.

Sidoqoftë, ndërtimi i kësaj autostrade, sipas ekspertëve të ekonomisë, përveçse do të shkurtojë ndjeshëm largësinë në mes të dy kryeqyteteve, do të ndikojë edhe në rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes më të lehtë të njerëzve nga të dy vendet.

Exit mobile version