Deputeti i OBRM-PDUKM-së Ilija Dimovski, përmes një deklarate me shkrim thotë se partia opozitare maqedonase është duke lëvizur në drejtim të gabuar.
Ai shton se mbetet në qëndrimin kundër marrëveshjes me Greqinë, kundër ndryshimeve kushtetuese, ndërsa përsërit qëndrimin se OBRM-PDUKM-ja nuk është duke lëvizur në drejtimin e duhur, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Mbetem në qëndrimin tim parimor se Marrëveshja e Prespës ka përmbajtje të dëmshme, se pushteti në mënyrë të gabuar e ka udhëhequr gjithë procesin, se unë si deputet nuk kam mandat për ta ndryshuar Kushtetutën. Si dhe gjithashtu mbetem në qëndrimin se OBRM-PDUKM-ja për një kohë të gjatë, edhe para edhe pas Kongresit të Vallandovës është duke shkuar në drejtim të gabuar, që shihet tek qëllimet e parealizuara të partisë”, thotë Dimovski.
Ai shton se tani është e dukshme që partia e tyre po shkon drejt izolimit, edhe në aspektin e jashtëm edhe atë të brendshëm.
“OBRM-PDUKM-ja vetë erdhi në situatë që ta humb kapacitetin e ndikimit për procesin serioz të shtetit dhe vendimeve shtetërore, tani për fat të keq nuk varet asgjë nga partia ime. Partia për një kohë të gjatë nuk ka arritur që të realizojë qëllimet e saj, pikërisht për shkak të këtij izolimi. Kështu edhe mbështetësit tanë humbin besimin”, thotë Dimovski.
Ai deklaron se nuk do të merr pjesë në asnjë siç thotë, “luftë, lojë ose llogari të OBRM-PDUKM-së”./Telegrafi/