Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Trajan Dimkovski, sot tha se afati prej shtatë ditëve që e dhanë bujqit në protestat e së shtunës në Shkup është i panevojshëm.
Ai tha se nuk ka pasur periudhë në të cilën nuk është biseduar me protestuesit, ndërsa sipas tij, motivi i protestave është i qartë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Kemi parë, u tregua dhe u konfirmoi se protestat janë politikisht të motivuara. Gjithë kohës jemi në komunikim me bujqit dhe në vazhdimësi kemi biseduar. Një pjesë e madhe e kërkesave që i kanë parashtruar tashmë janë realizuar, ndërsa për nesër kemi caktuar takim me vreshtarët që ta përfundojmë masën që e kemi paralajmëruar”.
“Një ditë para protestave është paguar masa për prodhuesit e orizit, si dhe faza e dytë për prodhuesit e qumështit. Mbetet që t’i precizojmë pagesat që do të pasojnë me ribalancin e Buxhetit dhe mjetet shtesë që i kemi marrë”, tha Dimkovski.
Ai gjithashtu tha se në tërësi është paguar subvencioni për prodhuesit e qumështit dhe shtoi se ka trashëguar gjendje që zgjatet./Telegrafi/