Me kërkesë të State Department, zv. kryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov, këtë pasdite bisedoi me Derek Shole, Këshilltar i posaçëm i Sekretarit Shtetëror të SHBA-së, Entoni Blinken, i cili në nivel të nën-sekretarit është kompetent për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme, njoftojnë nga Qeveria.
“Biseda u fokusua në ngjarjet e fundit lidhur me integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe hapat e mundshëm për zhbllokimin e procesit. Zv. kryeministri Dimitrov theksoi se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës u mbyll një nga çështjet më rëndësishme në rajon, për çka së bashku u dakorduan se suksesi i tij është një konfirmim jo vetëm për vendosmërinë dhe vizionin e Qeverisë, por paraqet edhe pikënisje për ndryshime pozitive dhe ndryshimin e perceptimeve për vendet e Ballkanit Perëndimor. Arritjet që pasuan pas Marrëveshjes, siç është anëtarësimi në NATO, duhet të avancohen edhe me realizimin e qëllimit të dytë strategjik – anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, konstatuan Dimitrov dhe Shole”, thuhet në deklaratë.
Nën-sekretari i Stejt Departamentit Shole uroi Dimitrovin për përvjetorin e aderimit në NATO.
Në këtë kontekst, nga ana amerikane u konfirmua mbështetja për aderimin e Maqedonisë së Veriut në Union, duke theksuar se vendi duhet ruajë kursin reformues, sepse SHBA-ja mbetet partner i sinqertë dhe i përkushtuar. Shole u dakordua me qëndrimin e Dimitrov se është koha që të mbahet konferenca e parë ndrër-qeveritare.
Dimitrov shfrytëzoi rastin ta informojë edhe për statusin e zbatimit të aktiviteteve kryesore reformuese të cilët janë pjesë e “Agjendës: Evropa brenda, duke potencuar se pavarësisht nga faktorët e jashtëm të cilët pengojnë procesin, Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk do të tërhiqet nga angazhimet strategjike për demokratizimin dhe evropianizimin e vendit.