Site icon Telegrafi

Dimitrov: Për momentin ka qëndrim negativ nga Bullgaria, nesër nuk do të miratohet korniza negociuese

“Për momentin kemi qëndrim negativ nga Bullgaria dhe nesër në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së nuk do të miratohet korniza negociuese për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov në pjesëmarrjen sonte në emisionin “Top Tema” në Telma.

“Me shumë gjasa do të bëhet fjalë për çështjen tonë, por duke i pasur parasysh të gjitha deklaratat, veçanërisht këtë fundjavë kishte shumë deklarata nga Sofja për këtë çështje, dhe duke i pasur parasysh procedurat në BE, asnjë vendim nuk do të merret nesër. Nuk do të miratohet korniza negociuese”, tha Dimitrov.

Sipas informacioneve të fundit që vijnë nga BE, presidenca gjermane nuk do ta vendosë në miratim kornizën negociuese nëse nuk arrihet një konsensus paraprakisht, ndërsa në këtë moment, thotë Dimitrov, është e qartë se kemi një qëndrim negativ nga fqinji jonë lindor.

Ai sqaroi se për sa i përket procedurave, takimi i ministrave të vendeve anëtare të BE-së nesër do të jetë virtual, nuk do të jenë në Bruksel, nuk do të ulen në të njëjtën tryezë, dhe kur ndodhë kështu, sipas procedurave të brendshme të BE-së, ata nuk mund të miratojnë vendime. Ata mund të debatojnë dhe diskutojnë, por në këtë periudhë praktikisht të gjitha vendimet e BE-së merren me procedura të shkruara përmes trupit të ambasadorëve KOREPER, përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare të BE-së”, tha Dimitrov.

Exit mobile version