Telegrafi

Dimitrov: Pas pesë vjetësh do të pyesim pse kontesti me Greqinë nuk është zgjidhur në vitet nëntëdhjeta

Në ditën e fundit të vizitës në Paris, Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov mbajti fjalim në Fondacionin “Robert Schuman” me temën “Perspektiva Evropiane e Maqedonisë pas Marrëveshjes me Greqinë”, pasuar nga një diskutim me mysafirët e ftuar, përfaqësuesit e trupit diplomatik, sferës politike dhe mediale të Francës.

Dimitrov iu referua planit për zgjidhjen e çështjes së hapur me Greqinë, mbi ndërlikimet e procesit, duke shprehur optimizmin se e njëjta do të përfundojë me sukses.

“Pavarësisht nga shumë sfida dhe kundërshtime, jam i bindur se pas pesë vjetësh do të pyesim pse kjo nuk është bërë në fillim të viteve nëntëdhjetë. Unë jam gjithashtu i bindur se kësaj radhe Ballkani do të tregojë se mrekullitë janë të mundshme”, tha Dimitrov.

Sa i përket procesit të zgjerimit, Ministri theksoi se është me rëndësi të madhe të vlerësojmë parimet meritokratike të arritura dhe zyrtarisht të hapim rrugën për Maqedoninë vitin e ardhshëm./Telegrafi/