Site icon Telegrafi

Dimitrov në emër të Maqedonisë kërkon falje për arrestimin e Khalid El-Masri në vitin 2004

Ministri për Punë të Jashtëm, Nikolla Dimitrov, në emër të shtetit të Maqedonisë ka kërkuar falje për arrestimin e shtetasit gjerman me prejardhje libaneze Khalid El-Masrit, i cili u arrestua në mënyrë të paligjshme në Maqedoni në vitin 2004 dhe u pyet në mënyrë të padrejtë.

Letra zyrtare e Dimitrovit vjen gjashtë vite pasi aktgjykimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut se Maqedonia ka shkelur disa rregula nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, njofton Telegrafi Maqedoni.

Në një letër dërguar El Masrit, Dimitrov shprehu “falje të thellë dhe keqardhje të sinqertë” për sjelljen e papërshtatshme të autoriteteve, si rezultat i të cilave ai pësoi “shqetësime të mëdha, lëndime dhe dhimbje të rënda fizike dhe psikologjike”.

“Ne mirëpresim falje deri te El Masri nga Qeveria e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe njohjen e saj se shërbimet e sigurisë kanë shkelur Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Nga ana tjetër, SHBA vazhdon të mohojë përgjegjësinë për cilindo në CIA për këtë rast”, tha James Goldston, drejtor ekzekutiv i Iniciativës për Drejtësi të Shoqërisë së Hapur.

Në vitin 2012, qeveria e Maqedonisë pagoi 60.000 euro për shkak të shkeljes së Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Përndryshe, më 31 dhjetor 2004 El Masri u arrestua nga autoritetet maqedonase në pikën kufitare Tabanovcë, ku ai më pas për tre javë u mbajt në një motel në Shkup. /Telegrafi/

Exit mobile version