Site icon Telegrafi

Dimitrov: Maqedonia duhet të marrë perspektivë kredibile dhe dinamikë evropiane

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, e filloi turin rajonal në vendet baltike me vizitë zyrtare të Republikës së Estonisë – kryesues aktual me Këshillin e BE-së dhe takim me kolegun estonez, Sven Mikser.

Siç kumtoi MPJ-ja, në takim me shefin e diplomacisë estoneze, ministri Dimitrov i potencoi masat konkrete të ndërmarra nga ana e Qeverisë në drejtim të realizimit të të gjitha kritereve të nevojshme për fillim të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe për anëtarësim në NATO, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Plasaritjet e pasigurisë duhet të mbushen me perspektivë evropiane kredibile dhe dinamike. Prandaj duhet të përparojmë ndaj ardhmërisë evropiane të mësuar nga gabimet e së kaluarës. Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Maqedoni janë njëkohësisht edhe konfirmim dhe përgjegjësi shtesë që të realizohet agjenda reformuese dhe evropiane e Qeverisë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të marrë rekomandim pozitiv nga KE-ka dhe vendim politik për fillim të negociatave në qershor të vitit të ardhshëm”, theksoi ministri Dimitrov.

Ministri Mikser, ndërkaq, theksoi se Estonia si kryesues aktual me Këshillin e BE-së, mbetet mbështetës i përkushtuar në procesin e zgjerimit të Unionit. Me këtë rast, duke e përshëndetur politikën reformuese të Qeverisë, shtohet, ministri e ka riafirmuar mbështetjen e fuqishme të Estonisë për përpjekjet e Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në BE dhe NATO.

Turneun baltik shefi i diplomacisë së Maqedonisë e vazhdon me vizita pune në Republikën e Letonisë ditën e mërkurë dhe të enjte dhe Republikën e Lituanisë të premten, theksojnë nga MPJ-ja./Telegrafi/

Exit mobile version