Telegrafi

Dimitrov-Boutaris: Komunikimi mes qytetarëve të të dy vendeve është me rëndësi të jashtëzakonshme për besimin e ndërsjellë

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov sot realizoi takim me kryebashkiakun e Selanikut, Yiannis Boutaris, në të cilin biseduan për modalitetet për avancimin e bashkëpunimit në më shumë fusha, përfshirë edhe atë në nivel lokal.

Bashkëbiseduesit, siç informojnë nga MPJ, janë dakorduar se komunikimi mes qytetarëve të të dy vendeve është me rëndësi të jashtëzakonshme në drejtim të përforcimit të besimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.

Në takim, mes tjerash, është biseduar edhe për bashkëpunimin tejkufitar, si dhe për përdorimin e bashkëveprimit të përforcuar me fokus mbi kulturën, arsimin dhe organizatat joqeveritare.

Ky është takimi i dytë mes ministrit Dimitorv dhe kryebashkiakut Boutaris për më pak se dy muaj në të cilin i vazhduan bisedimet nga Selaniku, për çështje me interes të përbashkët, si dhe për kontributin e mundshëm të autoriteteve lokale në suaza të Masave për ndërtim të besimit dhe afrimit të qytetarëve të të dy vendeve, thuhet në kumtesën e MPJ-së./Telegrafi/