Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në një intervistë për median serbe “Politika”, theksoi se “Beteja e Kumanovës” luajti një rol të madh në çlirimin e Ballkanit nga sundimi shekullor turk dhe mund të jetë një hap kyç në dëbimin e Perandorisë Osmane nga kontinenti evropian. Në kuadër të ushtrisë serbe, rreth 6.000 maqedonas kontribuan në fitoren e kësaj beteje.
“Në Kumanovë jetojnë qytetarë nga një numër i madh i bashkësive etnike, po ashtu edhe komuniteti serb është i përfaqësuar fuqishëm. Si kryetar i komunës, vazhdimisht përpiqem të respektoj të gjitha datat e rëndësishme, ngjarjet historike dhe fetare dhe vlerat tradicionale të popullit serb, por edhe vlerat e të gjitha bashkësive tjera etnike”, thekson Dimitrievski.
Dimitrievski thotë se Serbia dhe Maqedonia kanë marrëdhënie të mira tradicionale, dy kombet janë shumë të afërt, ndihmojnë njëri-tjetrin, respektojnë dhe bashkëpunojnë.
“Natyrisht që në këtë marrëdhënie ka kontribuar një pjesë e madhe e lidhjeve farefisnore mes dy popujve, por edhe fakti historik që për afro 5 dekada kemi qenë pjesë e një shteti të përbashkët, pjesë e koalicionit antifashist.
Përfundimisht, lidhjet dhe marrëdhëniet e mira nuk janë rezultat vetëm i politikës, por në radhë të parë janë rezultat i respektit të ndërsjellë, dashurisë dhe emocioneve të ndërtuara mes popujve tanë”, theksoi Dimitrievski./Telegrafi/