Kryetarja e Këshillit të Prokurorëve, Dushica Dimitrievska, thotë se propozimi për shkarkimin e prokurorit republikan Ljupço Kocevski ende nuk ka arritur në Këshillin e Prokurorëve Publikë.
Në një deklaratë për mediat ajo nuk ka dhënë përgjigje për procedurat e mundshme pas marrjes së propozimit.
“Së pari të marrim propozimin, të shohim akuzat e renditura në të dhe më pas të bëjmë një deklaratë. Ne do të veprojmë siç parashikon ligji, në përputhje me kompetencat ligjore të këshillit. Para se të vijë propozimi, nuk mund t’ju jap përgjigje për këtë pyetje”, tha ajo.
Në seancën e mbajtur më 25 shkurt, Qeveria ka miratuar propozimin për shkarkimin e prokurorit publik Ljupço Kocevski. Propozimi duhet t’i dërgohet Këshillit të Prokurorëve Publikë, i cili ka 15 ditë për të dhënë mendim. Nëse dështon, afati zgjatet edhe për 15 ditë të tjera. Nëse ende nuk ka mendim, konsiderohet se Këshilli nuk e mbështet propozimin. Më pas Qeveria ia paraqet propozimin Parlamentit për një vendim përfundimtar./Telegrafi/