“Ekonomia nuk është më në stagnim. Enti Shtetëror i Statistikave ka publikuar të dhëna për disa segmente të aktivitetit ekonomik në Maqedoni përmes të cilave tashmë po fillojnë të shihen rezultate të dukshme të punës sonë”, tha ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Ajo theksoi të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, të cilat shënuan ulje të shkallës së papunësisë në nivelin më të ulët historik prej 11.9%, rritje të punësimit në 46.2%, rritje të prodhimit industrial prej 1.4% në muajin janar 2025 dhe rritje të eksportit prej 5%.
“Kjo do të thotë se janë krijuar 13.067 mijë vende të reja pune në nivel vjetor, respektivisht krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak, paraqet nxitje ekonomike për të sapopunësuarit dhe një tregues që kompanitë kanë treguar rritje në stimulimin e krijimit të vendeve të reja të punës, me ç’rast kjo është regjistruar edhe në tremujorin e 4-të të vitit 2024, nëpërmjet rritjes së PBB-së prej 3.2%”, theksoi ministrja.
Sipas saj, është shumë e rëndësishme që ky proces të fillojë, ndërsa duke marrë parasysh arritjet e ekonomisë në dy tremujorët e parë të vitit 2024, i rëndësishëm është krijimi i parakushteve për mjedis të sigurt biznesi që ndikon në realizimin e investimeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe standardin më të lartë të jetesës.
“Edhe pse kjo është periudhë e shkurtër e implementimit të politikave tona, të dhënat janë inkurajuese për ne që ta vazhdojmë zbatimin e planit të përcaktuar. Qeveria fokusohet veçanërisht në ekonomi dhe investime, me ç’rast mbi to e bazon progresin real. Ekonomia dhe kompanitë, si dhe të punësuarit, gjithmonë do ta kenë partnere Qeverinë. Siguruam mjete dhe tashmë ka filluar pagesa e tyre financiare nga huaja hungareze për kompanitë vendase, gjë që do të iniciojë investime prej rreth 300 milionë eurove, me të cilat do të hapen vende të reja pune për qytetarët tanë, për të rinjtë që mund ta planifikojnë të ardhmen në vendin e tyre”, theksoi ministrja.
Në konferencën për shtyp, ajo potencoi se me përfshirjen e Maqedonisë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro SEPA janë siguruar përfitime për kompanitë dhe qytetarët, me ç’rast Qeveria krijoi parakushte duke harmonizuar rregullativat e BE-së, ndryshimet e ligjeve, përkatësisht Ligjit të Shërbimeve të Pagesave dhe Sistemeve të Pagesave, si dhe Ligjit të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, që ishin kushte për përfshirjen e vendit në SEPA.
“Qytetarët tanë që punojnë jashtë shtetit në një nga vendet e SEPA-s dhe që dërgojnë para në vend, gjatë dërgesës do t’u zvogëlohen dyfish provizionet prej rreth 7% në rreth 3%. Kjo masë paraqet kursim serioz nëse merren parasysh se gati 100 milionë euro dërgohen çdo vit. Ndërsa, kursimet për kompanitë do të ishin edhe më të mëdha, jo vetëm në vlerë por edhe në kohë. Domethënë, pagesa ndërmjet një kompanie nga Maqedonia dhe një nga vendet e SEPA-s do të bëhet për një ditë, ndërsa në raste të caktuara vetëm për disa minuta. Kjo, do ta lehtësojë zhvillimin e biznesit dhe konkurrencën e kompanive maqedonase”, theksoi ministrja e Financave.