Site icon Telegrafi

Dimitrieska-Koçoska: Ekonomia është në fokus, po bëjmë ndryshime që sjellin parashikueshmëri dhe kushte më të mira për investime

 

Në fokusin e Qeverisë së Maqedonisë është ekonomia dhe në 6 muajt e fundit të mandatit të saj, ajo i ka dedikuar rëndësi ndryshimeve që do të sjellin parashikueshmëri për investitorët dhe kushte më të mira për investime. Kjo u deklarua nga ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila ishte referuese në Forumin “Invisso”, që njihet paraprakisht si Euromoney, i cili po mbahet në Vjenë. Fjalim referues pati edhe zëvendëskryetari i parë i BERZH-it, Jurgen Rigterink, guvernatori i Bankës Qendrore i Austrisë dhe anëtari i BD-së i Bankës Qendrore Evropiane, Robert Holzmann, zëvendësministrja e Financave të Gjeorgjisë, Ekaterine Guntsadze dhe zëvendëskryetari rajonal për rajonin në Korporatën Ndërkombëtare Financiare i Bankës Botërore, Alfonso Garcia Mora.

“Në këta gjashtë muaj që nga marrja e pushtetit, jemi të fokusuar në ekonominë dhe në atë se çfarë duhet të ndryshojmë dhe çfarë është e rëndësishme për investitorët. Në 7 vitet e fundit janë bërë shumë ndryshime në politikën tatimore dhe për këtë ne themi se duhet të kemi politikë tatimore të parashikueshme, tatim me normë fikse, me ç’rast, ashtu si në periudhën paraprake, edhe gjatë 4 viteve të ardhshme, do të jetë periudhë e qëndrueshme dhe nuk do të bëjmë asnjë ndryshim. Kjo është e rëndësishme që kompanitë të jenë në gjendje t’i bëjnë planet e tyre”, theksoi ministrja.

Ajo shtoi se një aspekt tjetër i rëndësishëm mbi të cilin Qeveria fokusohet është infrastruktura dhe se qëllimi është që të tregohen rezultatet në aksion. “Arritëm që ta përfundojmë rrugën eksprese që lidh Shkupin me Sofjen. Gjithashtu, fokusohemi në finalizimin e segmentit rrugor në pjesën perëndimore të shtetit, përkatësisht nga Kërçova deri në Ohër, ku punohet më shumë se 10 vjet dhe presim që gjatë 2 viteve të ardhshme të përfundojnë. Për investitorët kjo është shumë me rëndësi sepse në rajonin e Ohrit ka shumë investime strategjike” theksoi Dimitrieska Koçoska.

Ministrja potencoi se po ndërmerren aktivitete serioze në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, aktivitete në fushën e konsolidimit fiskal dhe për uljen e deficitit buxhetor, si dhe reforma të tjera të rëndësishme për investitorët.

“Jemi shumë seriozë dhe të fokusuar në ekonominë dhe mund të premtoj se në periudhën e ardhshme do të tregojmë rezultate serioze. Tashmë veçse po i tregojmë këto rezultate, ndërsa dëshmi serioze për këtë është rritja e PBB-së në tremujorin e tretë. Po punojmë edhe për reformat që janë shumë të rëndësishme për ne dhe për investitorët, që do të thotë se po mundohemi ta ndryshojmë tërësisht konceptin e punës dhe ta bazojmë atë në profesionalizëm”, tha ministrja.

Në fjalimin e saj iu referua edhe zbatimit të reformave në lidhje me integrimin europian të vendit tonë, duke theksuar se Axhenda reformuese po ndiqet dhe se do të plotësohen detyrimet e ndërmarra në lidhje me të.

“Ne do të përfundojmë atë që përcaktohet nga Axhenda reformuese. Marrëveshja për kërkesën e mjeteve tashmë është duke u përgatitur dhe ne jemi vendi i parë nga pesë vendet e Ballkanit Perëndimor që përmbush detyrimet e tij, që do të thotë se jemi shumë seriozë”, theksoi ministrja e Financave.

Në margjinat e forumit, ministrja e Financave do të zhvillojë disa takime me investitorë dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Forumi është ngjarje vjetore që bashkon profesionistë nga segmente të ndryshme të sektorit financiar dhe bankar në një vend dhe ofron mundësi për t’u informuar për zhvillimet më të fundit në botën financiare dhe për të hapur diskutime për tendencat dhe të ardhmen e tregjeve financiare.

Exit mobile version