Cila është cilësia e jetesës sot krahasuar me 5 vjet më parë?
AN: ALLAHILE A MUNDESH me thanë që ka ec gjë përpara për 5 vjet në Kosovë? Po kthehem nga kurbeti me tendencë të përhershme.
AK: Diçka po, diçka jo. Në Prishtinë vëren ndryshime… Mandej rrugët magjistrale janë më të mira… Por vazhdon me qenë hallakamë. Njerëzit?! S’po di. Pyetje e mirë!
AN: D.m.th. nga kjo mund të kuptoj se pak gjë ka ecë…
AK: Është perceptim, fundi i fundit. Varet si e shikon. Shumë gjëra shkojnë më me rregull, krahasuar me para pesë vjetëve, por ka edhe shumëçka që ka stagnuar ose ka lëvizur prapa…
AN: Mua më intereson shoqëria a është më demokratike?
AK: Jo.
AN: Këtu do ta mbaj të hapur mundësinë e kthimit.
AK: Mirë bën.
AN: Unë e kam vendos – do të vij atje, edhe veç nëse është bërë më keq se përndryshe do të qëndroj.
KY ËSHTË DIALOGU që zhvillova nëpërmjet Internetit me mikun tim që nuk e kisha parë tash e pesë vjet. Kur e rilexova, mu duk që në ato pak reshta spontanisht dhe me lehtësi na kishin dalë ndoshta më së qarti të përshkruara realitetet tona.
Ta ndaj me ju: Miku im kishte pasur një karrierë të lakmueshme për shumkë në Kosovë. Person publik, i ndarë mes gazetarisë, teatrit, letërsisë dhe shoqërisë civile, një ditë papritmas kishte marrë një vendim. “Do të dal në Perëndim!”, më tregoi. Pas disa ditësh, me familje, u vendos në një nga shtet skandinave. Arsyetimi që më kishte dhënë ishte i thjeshtë, por gjithsesi i thellë. “Jam lodhur. Po shkoj të jetoj në një shtet normal. Një jetë e kam”.
Vërtet, kisha fituar përshtypjen se ai donte të harronte gjithçka që lidhej me Kosovën dhe se në këtë po ia dilte. Nuk përfshihej fare në debatet publike, në Internet ose gjetiu, siç bëjnë zakonisht “bashkatdhetarët”. Nuk mbante kontakte të rregullta me asnjë nga miqtë këndej. Dhe kisha dëgjuar se edhe atje ku ishte nuk i kishte ecur keq. Lajmi për vendimin e kthimit më erdhi pa pritur, por edhe nuk më befasoi. Megjithatë, Kosova nuk të lë ta harrosh.
ÇKA DO TË GJEJ miku im në Kosovë dhe të tjerët si ai, nëse vendosin të kthehet pas një gjysmë dekade? Gjatë kësaj periudhe ka ndodhur ngjarja më e rëndësishme – shpallja e pavarësisë. Por jo shumëçka ka ndryshuar për të mirë.
Përgjithësisht me termin “cilësi e jetesës” është nënkuptuar vlerësimi i përgjithshëm i mirëqenies së individëve dhe shoqërive në shtete të ndryshme. Ky vlerësim ka për bazë mbështetjen në disa fusha kryesore, siç janë pasuria dhe shkalla e papunësisë, shëndetësia, arsimi, gjendja politike, liria e shprehjes/media, zhvillimi ndërkombëtar, zhvillimi infrastrukturor, përfaqësimi shoqëror, si dhe koha e ndarë për rekreacion, zbavitje dhe pushim.
Nëse ndalemi në këto pika reference, atëherë – pavarësisht vetëngushëllimit se kemi dalë nga lufta shkatërruese dhe jemi shtet i ri – Kosova diku ka ecur pak, por jo aq sa të jetë as afër vendeve që na rrethojnë e lëre më atyre në Evropë Perëndimore.
Nëse shkojmë më radhë, ja shkurtimisht perceptimet e mia për këto fusha:
Pasuria: Nuk ka pasur ndonjë përparim. Janë rritur disa paga, janë shtrenjtuar shumë artikuj dhe ka pasur inflacion, duke krijuar një rreth vicioz. Për më tepër, cash-i ka shkuar duke u pakësuar. Në një përllogaritje të ekonomistëve, del se shumica e biznesmenëve më të mëdhenj i kanë të bllokuara paratë e gatshme, ose për shkak se kanë blerë prona në procesin e privatizimit, të cilat jo gjithherë kanë kthyer fitim, ose do të duhet pritur edhe shumë vjet për të kthyer diçka, ose-ose kanë marrë kredi të mëdha bankare për qëllime të njëjta. Kurse, shumica e të punësuarve me paga prej mbi 300 euro janë duke paguar kredi që kanë marrë nga bankat komerciale.
Papunësia: Ndonëse më e madhja në Evropë, llogaritet të jetë rritur ende, pasi që trendi i rritjes së natyrshme të personave që kërkojnë punë çdo vit është më i madh se sa hapësira absorbuese.
Shëndetësia: Ajo publike assesi të dalë nga spiralja që çon tatëpjetë. Në sektorin privat ka përparime, kryesisht për shkak të rritjes së cilësisë së shërbimeve si pasojë e rritjes së vazhdueshme të konkurrencës.
Arsimi: Ka përparime të dukshme në aspekt të infrastrukturës në ciklin e ulët dhe të mesëm. Në atë sipëror, përveç numrit të rritur panevojshëm të studentëve dhe të hapjes së universiteteve të reja (prapë, për shumkë të panevojshme), sektori publik nuk ka arritur ndonjë rritje. Edhe këtu më e ndritur është situata në sektorin privat, ku ka pasur bashkim të disa institucioneve të arsimit të lartë për të krijuar numër më të vogël, por më cilësor.
Gjendja politike: Teksa ka një ekzekutiv me më shumë emra të respektuar se më parë, ka një mishmash kompetencash dhe duplifikim postesh për nevoja të mbijetesës politike. Kuvendi, me përjashtime, në këtë legjislaturë përmban edhe individë të nivelit më të ultë që ka pasur ndonjëherë pas lufte, që shpesh ndikojnë në degradime debatesh në nivele të kafehaneve më të pista.
Liria e shprehjes/media: Shumë më keq se pesë vite më parë. Bazuar edhe në matjet e organizatave ndërkombëtare edhe në raportimet në rritje të kërcënimeve nga grupe politike e të biznesit ndaj gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile.
Zhvillimi ndërkombëtar: Kjo është kategori specifike për Kosovën, pasi që në të ka ndikim edhe niveli i njohjes së pavarësisë nga shtete të ndryshme dhe organizata ndërkombëtare. Sidoqoftë, vendi është i fundit në Evropë në procesin e aderimit në BE dhe i vetmi në rajon jashtë listës së Schengenit të Bardhë, pa nevojë të shkohet më larg.
Zhvillimi infrastrukturor: Shumë më mirë se para pesë vjetësh. Shumë rrugë të reja dhe moderne, së shpejti edhe autostradë që lidh me Shqipërinë. Sidoqoftë, shumë pjesë të këtyre ndërtimeve të mbetura në gjysmë pa shpjegime, dhe plot me afera të dyshuara për korrupsion dhe keqpërdorime të parasë publike.
Përfaqësimi shoqëror: Shiko pikën “Liria e shprehjes/Media”.
Koha e ndarë për rekreacion, zbavitje dhe pushim: Me numrin më të madh të të papunëve në Evropë, tragjikisht dhe komikisht, mund të thuhet se ka mjaft kohë për pushim, por jo edhe shumë për rekreacion dhe zbavitje.
TASH, NUK E DI se si do t’i duket Kosova e këtyre ditëve mikut tim nga fillimi i këtij shkrimi, kur të kthehet. Varet shumë edhe nga pritshmëritë e tij.
Perceptimi im është ky i shprehuri. Dhe unë vazhdoj të jetoj në Kosovë.
Ndoshta për këtë edhe lehtë do të mund të kualifikohesha për një nga respondentët në anketat mbi optimizmin, ku kosovarët gjithmonë dalin në vendet e para.
Çka mendoni ju?