A po paralajmëron presidenti serb, Aleksandar Vuçiq një referendum për Kosovën dhe Integrimet Evropiane të Serbisë? A do të kishte kuptim referendumi, në qoftë se, siç kreu i shtetit, përcaktimi strategjik i shtetit është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Këto janë pyetjet që po shtrohen në opinionin serb, e që kanë të bëjnë me dialogun e brendshëm për Kosovën, raportojnë mediat në Beograd.
“Ne si popull duhet të marrim një vendim se çfarë duhet të bëjmë”, ka thënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
A do të thotë ky mesazh i Vuçiçit i bërë në konferencën me Komisionerin e BE, Johannes Hahn se Serbinë po e pret një referendum për zgjidhjen e çështjes së Kosovës? Sipas deklaratave të SNS-së të Vuçiqit – po.
“Sigurisht se fjalën e fundit do ta thonë qytetarët e Serbisë. Ata janë sovrani dhe do ta thonë fjalën e fundit për atë që jemi marrë vesh. Dhe ne nga ai referendum dhe deklarim i qytetarëve nuk ikim”, zyrtari i SNS, Aleksandar Martinoviq, përcjell Telegrafi.
Sipas Martinoviqit, çështja e Kosovës nuk është vetëm çështje e SNS, por e gjithë popullit serb, duke shtuar se paraprakisht në Serbi duhet të arrihet një konsensus për Kosovën, përpara se të mbahet referendumi.
“Nëse më pyetni mua, mendoj se referendumi është shumë larg. Ne duhet së pari të zgjidhim dialogun e brendshëm për Kosovën”, tha ai.
Se duhet të mbahet referendum për çështjen e Kosovës vlerëson edhe Dushan Prorokoviç nga Qendra për Alternativat Strategjike.
“Bëhet fjalë për një çështje shumë e madhe. Qeveria, ashtu siç është, nuk ka legjitimitet për të marrë një vendim për këtë çështje. Mendoj se mënyra më e mirë është që qytetarët të deklarohen, por gjithashtu mendoj se Perëndimi do të ketë shumëçka kundër çfarëdo referendumi”, thotë Prorokoviq.
Ndërsa, nëse do të pyetej opozita në Serbi, për referendumin është dashur të mendohej shumë më herët.
“Mendoj se referendumi është i vonuar dhe se është dashur të mbahej para nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2012” thotë zëvendëskryetarja e Partisë Popullore, Sanda Rashkoviq – Iviq, e cila potencon se është e paqartë se çfarë mendon kreu i shtetit dhe presidenti Aleksandar Vuçiqi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
“Tani ai mua me ngjan në një trajner futbolli, i cili një minutë para përfundimit të lojës, kur e ka parë se loja është e humbur dhe dëshiron të ftojë lojtarë nga stoli, dhe këta janë opozita dhe populli në mënyrë që me ata ta ndajë përgjegjësinë për dështimin”, tha Rashkoviq-Iviq. /Telegrafi/