Site icon Telegrafi

Dilemat e Zi Ziut

Ziu, megjithëse jeton thjeshtë në një barakë të kalbur në qytet, nuk e paramendon kthimin në vendlindje, ku ka lënë arat dhe shtëpinë. Punën e dikurshme nga e cila jetonte, tashmë e ka harruar.

Ziut nuk i kishte shkuar kurrë në mendje se gjerat mund të ndryshojnë për të keq edhe në shehër. Që kur erdhi në qytet, fshati i duket krejt i zi. Nuk kujton asgjë të mirë nga atje, por vetëm të liga. Ziu tash gjashtëmbëdhjetë vite provoi shumë “aktivitete” për të mbijetuar. Pasi ka ndërruar shtretër në disa banesa bukur luksoze, madje dhe me mobile lëkure, një vit më parë u vendos në një barakë, që më shumë duket si qymez para rrënimit, sesa një konak ku jeton dikush pas luftës së fundit në Kosovë.

Ka një televizor të cilit nuk ia ndan sytë natë e ditë. Po të mos e trondiste përdredhja e zëshme e zorrëve në bark, do të vdiste urie duke shikuar përgatitjen e gjellëve më të mira të botës që sheh çdo ditë në ekran. Televizionet kabllore në kryeqytet ofrojnë treqind e më shumë kanale ku mund të zgjedhësh gjellët apo muzikën që dëshiron.

Zi Ziu ndërron programet dhe ia ngul sytë një kanali me muzikë tallava, i cili shumë njerëz i lë pa gjumë, tash e sa vjet. Ka edhe ndryshime të theksuara nga kanalet tjera, sepse ky transmeton muzikë që shumë më tepër është pornografi. Sytë i xixëllojnë Ziut nga përdridhjet e këngëtarëve që rrotullohen fare lakuriq. Nuk e ka moshën Zioshi për këso programesh, por mendja i shkon se kështu duket shehri, të cilin e lakmonte tinëz dikur në fshatin e tij, e ku nuk kishte parë kurrë rrugë të asfaltuar. Ai më nuk është adoleshent. Akoma nuk ka gëzuar pensionin e pleqërisë dhe nuk i shkon në mendje se kur të pensionohet, shuma që do merr nuk do t’i mjaftojë as për bukë.

Kujdestaronte në disa banesa të huaja pas lufte dhe ndërroi shumë herë konak. Një ditë u nxor nga banesa e fundit me vendim të gjyqit. Tash është duke bërë gjumin në një dhomë, e cila më shumë i ngjanë kotecit të pulave të tij në fshat. Merr 53 euro ndihme sociale në muaj, që nuk i mjaftojnë as për një kulaç bukë në mëngjes.

Ka filluar ta kujtojë vendlindjen ku ka lënë shtëpinë, arat e livadhet. Nuk i ka harruar akoma lekët që dikur merrte nga qumështi që dorëzonte në qendrën e grumbullimit në fshat.

Ndërron programet pa cak. Para syve i shfaqet duke bërë “selfie” ministri, ish shoku i tij i bankës. Duke shikuar ministrin me faqe si simite dhe me mustak e mjekër në formë rrethi, Ziu nisi ta paramendojë vetën në pozitën e tij. Rrotullohet para pasqyrës. Flet vet me veti me zë, për punën dhe alamet aktivitetet e tija ditore. Muzika e zorrëve të zbrazëta që mund të dëgjohej edhe jashtë barakës ia ngatërron mendimin. Mjekra e ministrit në formë rrote i ngjitet në tru si rriqër. Nisi ta ironizojë, se si ai dikur ishte vetëm një hiq rrugësh, që nuk kishte prekur kurrë punë me dorë në jetën e tij. “Si nuk u bëra edhe unë ministër”, i thotë vetes Zi Ziu, dhe i shtohet inati. “Më harruan fare këta shokët balosha”, pëshpëritë me gjysmë zëri, me frikë se mos po e dëgjon dikush nga ata që e mashtruan dhe e sollën në qytet me premtime përrallore. Shpresat i mbanë gjallë tek “shokët e partisë” , megjithëse është katandisur në gjendje të mjerë pas shumë vitesh të mjaltit.

Mendon se po të ishte së paku deputet, tash 16 vjet do kishte goxha do privilegje. Këtë ia përsërit vetës sa herë që zihet ngushtë. I lakmon ministrit me mjekër të rrumbullakët. Ia numëron pozitat politike që ka ndërruar për 16 vjet me radhë dhe nuk mund ta largojë nga mendja se si po fliste me vete para pasqyrës dhe si bënte “selfie” me iPhone-n e tij të shtrenjtë.

Ndërroi serish programin dhe hasi në reklama.

Hani “dobro jutro” , dëgjoi fjalët e spikeres. Nuk mund t’ia zbërthente vetvetes se çfarë ushqimi është “dobro jutro” dhe çfarë kuptimi kanë këto dy fjalë të reklamës. Gjuha serbe as nuk i bënë përshtypje. Programin e VIP-ave e shikon vazhdimisht. Edhe pse tash jeton në qymez, Ziu vetën e paramendon në mesin e VIP-ave.

Nuk e harron dot çastin kur edhe emri i tij u lexua në televizor, ku luhej një lojë shpërblyese. Pat qëlluar edhe emri i Zi Ziut. Moderatori , para se t’i tregonte shpërblimin që kishte fituar, e pyeti se a kishte gjyshe dhe kur ky iu përgjigj se nuk kishte, moderatori i tregoi se ka fituar një “cucëll”. Bile e pat pyetur edhe për gruan se a mund të thithte ajo? Të gjitha këto ishin vetëm zëra pakuptim për Zi Ziun, pasi dhurata kryesore nuk i buzëqeshi kurrë.

Ndërron programin i detyruar nga bubullimat e zorrëve të zbrazëta. Vrapon deri në dyqanin e afërm për bukë dhe ashtu del me shpejtësi siç është me pizhame të fjetjes. Merr një bukë dhe fillon ta grimcojë. Shtrihet para televizorit dhe ndërron kanalet. Sërish programe gjellësh të zgjedhura si për inati. I duket sikur aroma e mishit të pjekur depërton nga ekrani. Pasi mbush barkun me bukë të thatë, nuk dëgjon më zhurmën e zorrëve.

Nuk ka film artistik të cilin nuk e ka parë edhe nga dy tre e më shumë herë.

Sot, pas 16 vjetësh që ka ardhur në shehër, vetëm kur e pa veten në konakun kotec, Zi Ziut nisi t’i shkojë mendja tek arat që i la djerrinë.

Pa asnjë cent ne xhep, kujtoi amanetin e babës i cili i thoshte se duhet të punojë për të mos mbetur keq asnjëherë. Derisa thellë në trurin e tij flenë fjalët e plakut, therat e llojllojshme përreth arës i dëftohen para syve.

Sa me endje do të kishte ngrënë një grusht thana! Kishte atje kaça, kulumria, thana, murriza, dardha e molla, të buta e të egra dhe mund të zgjedhte diçka për të qetësuar muzikën e barkut. Në heshtje kritikon vetveten se pse “u mashtrua” dhe erdhi në qytet.

Nuk harron premtimet e “shokëve”, për ta sjell në qytet pas lufte. Pesë fëmijët e rritur të tij vjet ikën azil dhe Ziu mbeti vetëm. E shoqja me fëmijë i kanë mbetur në Hungari, prej nga ata nuk i dërgojnë asnjë cent. Po Ziut assesi t’i zhduket shpresa tek “shokët e partisë” së tij, megjithëse gati ka arritur moshën e pensionit?

Vazhdon të mendojë se kjo dhomë barakë, plot lagështi dhe me pak dritë, mund të rrënohet edhe vet, apo mund ta rrënojë komunalja. I shkon mendja për mëshirë dhe e mban shpresa se mund të përfitojë ndoshta një banesë të re, pasi të kenë nxjerrë nga qymezi i tashëm.

Ditë pas ditësh, rralloi qëndrimin para televizorit dhe kalonte kohën në parkun e afërt të qytetit. Askush nuk i afrohet as për të këmbyer dy-tre fjalë goje. Shpesh acarohet me veten.

Tash të gjitha shpresat i ka varur sidomos tek fushatat zgjedhore. Dëshiron të ketë sa më shumë zgjedhje. Vetëm kur ka zgjedhje Ziut i afrohen njerëz të cilët nuk i ka parë asnjëherë. I afrohen njerëz krejt të panjohur. Ia paguanin një makiato për votë. As Ziu nuk përtonte që t’ua premtojë votën e tij. Ketë të drejtë të tij ua premtoi shumë vetave. Pak euro fitoi nga koj punë. Ia merr inati vetes pse nuk nxori ndonjë fitim më të madh nga kjo tregti.

Nuk harron Ziu se si votoi për para dhe si shpëtoi pa u dënuar. Lutët të ketë sa më shpesh zgjedhje, me shpresë që të fitojë ndonjë euro. I kujtohet edhe si e kishin shëtitur matrapazët nëpër disa qendra votimi, nga dy, tre e më shumë herë me kusht. Së fundi, jaranët e moçëm e kanë dëshpëruar me deklaratat e tyre se nuk do ketë se shpejti zgjedhje dhe kështu dilemat e Ziut tashmë janë shumëfishuar.

 

Exit mobile version