Opinioni i brendshëm në vend kohëve të fundit është i preokupuar me atë se BDI do të braktisë qeverinë apo do të vazhdojë të jetë pjesë e koalicionit qeverisës. Vetë lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti, qartazi edhe një herë tregoi se nuk do të dalë nga qeveria, por do të këmbëngul të realizojë të drejtat brenda saj. Mirëpo i tërë problemi nuk është dalja nga qeveria apo mos dalja, por dilema se ku do të shkojë pas kësaj BDI.
“Unë shtroj pyetje para jush po që se BDI braktis institucionet ku do shkojë, do shpallë grevë urie para institucioneve, do dalë në rrugë apo do shkojë te shpia? Kështu deklaroi të shtunën në Tetovë Ali Ahmeti. Është joserioze të shtrohet një dilemë e kësaj natyre. Vërtetë asgjë nuk do të ndodhë. Sa për përgjigje, është lehtë. Vendi i një lideri në këso çaste dhe turbullira politike është tek populli dhe zgjedhësit e tij.
Gjatë këtyre viteve sa ekziston ky shtet t`ju rikujtojmë të nderuar lexues se shqiptarët gjithnjë kanë qenë nën hije dhe të ekspozuar ndaj dhunës shtetërore, diskriminimit permanent institucional dhe këto padrejtësi nuk u përmirësuan edhe pas një lufte në vitin 2001. Nëntë vite më pas situata është e njëjtë, një parti me shumicë votash parashtron kërkesa, një parti tjetër ofron marrëveshje politike, një tjetër federalizëm.
Këto strategji diametralisht të kundërta që nuk përputhen njëra me tjetrën të partive politike që përfaqësojnë shqiptarët, si duket po jep frytet negative. Në një situatë të këtillë rrugëdalja nga ky qorrsokak kombëtar i shqiptarëve do të ishte padëgjueshmëria qytetare dhe braktisja e të gjithë institucioneve të shtetit nga shqiptarët, duke filluar nga deputetët e deri tek administratori i fundit dhe dalja në rrugë.
Një komb i formuar politikisht dhe me elita intelektuale, ndryshe nuk do të gjente rrugë dhe metoda për të shpëtuar UNIN dhe degradimin e vet. Pse padëgjueshmëri qytetare dhe bojkot institucional. Është më se e qartë se partitë politike maqedonase janë mësuar me kërkesat e shqiptarëve dhe çdo herë bisedojnë për të njëjtat, ku disa i pranojnë e disa nuk i pranojnë duke i quajtur si kërkesa maksimaliste. Prandaj, në këtë drejtim shqiptarët e Maqedonisë janë në pozicionin e lypësit, që gjithmonë shtrin dorën dhe kërkon diçka nga tjetri.
Ky është momenti më i volitshëm që t`i thuhet ndal kësaj politike të dëshmuar antishqiptare. Mosdëgjueshmëria qytetare ndaj këtij mekanizmi shtetëror do të thotë e kundërta e tregimit për lypësin. Çfarë ligji do të sjell pa shqiptarët në Parlament. Çfarë vendime do të sjell në qeveri pa shqiptarët. Ligje dhe vendime degraduese. Ironike dhe qesharake.
LSDM dhe VMRO-DPMNE, që 20 vjet sjellin ligje dhe vendime antishqiptare me prezencë të partive politike shqiptare në qeveri e parlament. Pjesëmarrja e shqiptarëve në institucione është treguar shterpe dhe joefektive andaj asgjë nuk do të humbet nëse braktisen mekanizmat antishqiptare dhe shpallet padëgjueshmëria qytetare. Një pjesë e madhe e komunave me shumicë shqiptarë do të bojkotonin vendimet e pushtetit qendror, e kjo do të thoshte bojkotim edhe i pagesës së tatimeve që shkojnë në qendër.
Mospagesa e rrymës, mospagesa e ujit, mospjesëmarrja në punë e policëve shqiptarë, ushtarëve, deputetëve, ministrave, profesorëve, dhe paralizimi I komunikacionit në tërë Maqedoninë perëndimore. Skena e shumëdëshiruar për të gjithë shqiptarët do të ishte. Liderët shqiptarë bashkë me popullin të gjithë në rrugë dhe me ultimatum e jo me kërkesa dhe injorimi total i bisedimeve përmes lehtësuese ndërkombëtar sepse “boll ua kemi pa sherrin” këtyre lehtësuesve.
Nevojiten negociata TET a TET, mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe një herë e përgjithmonë të hartohet ligj që policia speciale e Shkupit, ta ketë të ndaluar të intervenojë në vendbanimet shqiptare pa marrë dritë jeshile nga sektorët për Punë të Brendshme në këto vise dhe pa marrë pëlqim edhe nga kryetarët e komunave, sepse deri tash përvoja ka treguar se policia e rajonit nuk ka informata për aksionet e dhunshme dhe spektakolare të njësisë speciale.
Sa do që të trumbetohet dhe të kërkohet pjesëmarrja e shqiptarëve në këto njësite megjithatë problem ngelet se kreu i kundërzbulimit, kreu i MPB-së janë të një etniteti dhe urdhrat vetë i japin dhe vetë i zbatojnë. Kjo është rrugëzgjidhja si për Ali Ahmetin po ashtu edhe për partitë tjera të cilët shtrojnë dilemën se çka nëse braktisen institucionet e shtetit. Sigurisht se as kiameti nuk do të ndodh e as lufta e tretë botërore nuk do të ndodhë nëse shqiptarët shpallin padëgjueshmëri qytetare.
Është koha që edhe ne të provojmë të luajmë rolin e kundërshtarëve. Le të vijnë e le të në lusin pastaj se rruga e vetme për zgjidhjen e kontesteve është rruga institucionale.
(Autori është gazetar në Televizionin Koha në Tetovë dhe korrespodent i gazetës Koha)