Site icon Telegrafi

Dilema politike shqiptare

I

Para disa javësh, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Ruairí O’Connell, kishte nisur një bashkëbisedim me “të abonuarit” në faqen e tij zyrtare në Facebook. Në njëfarë mënyre, ambasadori ”urdhëroi” bashkëbiseduesit që të jenë të sjellshëm, ndryshe do të ”ndëshkohen” me bllokim. Pyetjeve të bashkëbiseduesve do t’u përgjigjej vet shkëlqesia e tij.

Ndoshta për t’i ikur këtij ”ndëshkimi”, një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Pajtim Balaj, i kishte bërë një pyetje interesante ambasadorit. Pajtimi dëshironte të dinte mendimin e Ruairí O’Connell, nëse ekipi i Leicester City do të arrijë të fitonte kampionatin e sivjetmë të Premier Ligës angleze në futboll. Ndonëse pyetje e sjellshme, ambasadori nuk kishte dhënë asnjë përgjigje, mbase për shkak të natyrës së pyetjes pasi që ambasadori priste pyetje për Kosovën dhe jo vendin e tij.

Pajtimi ishte “revoltuar” paksa. Në profilin e tij, aktivisti i LVV-së e kishte arsyetuar pyetjen e tij, duke folur për traditën shqiptare që kur na vjen miku te shtëpia jonë, gjithnjë e pyesim për shtëpinë dhe familjen e tij, e jo për tonën.

Ruairí O’Connell i pëlqejnë protestat ‘paqësore’ të opozitës, si ajo e 17 shkurtit, por nuk i quan të qeta. Zakonisht fjala ‘paqësore’ përmendet në raste konfliktesh të armatosura. Mbase ambasadori e ka fjalën te gazi lotsjellës që përdor opozita si mjet proteste, që tashmë në Kosovë po karakterizohet si armë e rrezikshme. Nëse po, atëherë si bëhet që pushteti e përdor këtë armë kundër popullit të tij, vetëm se kërkojnë të largohen ata që kanë shkelur Kushtetutën?

II

Një ambasador tjetër në Prishtinë, Greg Delawie, ambasador i SHBA-ve, mikut më të madh të shqiptarëve, ishte nervozuar shumë sa që e kishte konsideruar neveritëse hedhjen e fundit të gazit lotsjellës në kuvendin e Prishtinës nga ana e deputetëve të opozitës.

Paraardhësja e tij, Tracey Ann Jacobson, nuk ishte shprehur kushedi sa më butë. Ajo e kishte konsideruar si njeri kërcënues ish-kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin. Për dallim nga pasardhësi i saj, Jacobsonit nuk i pëlqente vetëm ajo pjesë e opozitës e cila ishte “e padëgjueshme”. Me siguri se tani nuk do t’i pëlqente e tërë opozita, pasi që janë bërë ”të padëgjueshëm”.

Paraardhësi i saj, Christopher Dell, biznesmeni i Amerikës që iu bashkëngjit firmës së ndërtimit të rrugëve Bechtel Enka, gjithashtu ka kritikuar opozitën dhe gazin lotsjellës, duke vlerësuar lartë kryetaren e Republikës së Kosovës, Ahtifete Hahjaga. Firma e tij është duke ndërtuar autostradat në Kosovë, çmimi nuk dihet.

Ngjashëm kanë vepruar edhe ambasadorët e disa vendeve tjera, si ai francez, Jean François Fitou, dhe ambasadori holandez, Robert Bosh.

III

Të gjithë emrat e huaj të lartpërmendur janë pjesë e misioneve diplomatike të përhershme që njihen me emrin ambasada, pra janë mysafirë në Prishtinë. Roli i misioneve diplomatike, përmes stafit të tyre, njëri ndër të cilët ambasadori, është prezantimi i shtetit nga ku vijnë në shtetin nikoqir, mbrojnë interesat e shtetit të tyre dhe qytetarëve brenda kornizave të së drejtës ndërkombëtare, raportojnë zhvillimet e ndryshme të vendit nikoqir në vendin e tyre amë, promovojnë marrëdhënie ekonomike, kulturore, shkencore etj. të vendit amë në vendin pritës.

E, megjithatë, ambasadorët në vendet tona, siç mund të kuptohet, kanë edhe disa role shtesë, të caktojnë kryetarë shtetesh, duke dërguar SMS apo zarf, të përcaktojnë fituesit e zgjedhjeve, koalicionet qeveritare, votimin e ligjeve, e deri edhe te mbushja e gropave nëpër rrugë.

Të gjithë këta ambasadorë të lartpërmendur kanë dy gjëra të përbashkëta. E para, përmes tyre, shtetet e tyre kanë kritikuar ashpër institucionet të cilat qeverisin me Kosovën, duke i quajtur të korruptuara, joefikase, joefektive, të përfshira në krime, kontrabandë, institucione që nuk e zbatojnë ligjin dhe njëkohësisht kanë kritikuar ashpër opozitën e cila ka disa muaj që ka bllokuar Parlamentin, duke e futur vendin në krizë të thellë pas nënshkrimit të marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave Serbe dhe atë të shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

E dyta, shtetet e këtyre ambasadorëve mbështesin fuqishëm këto institucione të cilat i kanë quajtur të korruptuara, joefikase, joefektive, të përfshira në krime, kontrabandë, institucione që nuk e zbatojnë ligjin. Këto institucione shkelin Kushtetutën e vendit, ashtu siç Gjykata Kushtetuese e cilësoi se shkel rendin ligjor në Kosovë marrëveshja për Asociacionin. Dikush që shkeli Kushtetutën më herët u shkarkua, madje edhe me insistimin e ambasadorëve, e dikush që e shkel tani po mbrohet pikërisht nga këta ambasadorë. Rrjedhimisht shfaqet dilema: të shkelet apo të mos shkelet Kushtetuta. SHBA-të dhe BE-ja thonë jo, ambasadorët e lartpërmendur thonë po. Cilin të dëgjojmë?

 

 

 

Exit mobile version