Telegrafi

Dilema e madhe e Ronaldos për Cityn – nëse lëndohet sërish, rrezikon karrierën!

Cristiano Ronaldo është riaftësuar mirë nga lëndimi i muskulit dhe pritet të luajë ndaj Manchester Cityt në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Mediat raportojnë se portugezi ndihet mirë dhe do të nisë nga minuta e parë, në ndeshjen që Los Blancos duhet ta fitojnë për të shkuar në finale (kur kihet parasysh se sfida e parë u mbyll pa gola).

Mirëpo, krahas lajmit të mirë për kthimin e 30-vjeçarit në fushë, ka edhe lajme të këqija. Mjeku Mikel Sanchez, i cili kujdeset për shëndetin e tenistit Rafael Nadal dhe të cilin klubi i Realit e konsulton në rastet e lëndimeve serioze, e ka kontrolluar superyllin e Merengues dhe ka dhënë vlerësimin e tij për gjendjen aktuale.

Mediat spanjolle raportojnë se Sanchez i ka rekomanduar Ronaldos që ta zgjasë periudhën e shërimit dhe të mos luajë ndaj Cityt, duke qenë se loja në stërvitje dallon nga loja e vërtetë në një ndeshje dhe se ekziston rreziku nga lëndimi.

Sipas mjekut, ekziston rrezik i madh për përsëritjen e lëndimit, i cili madje mund edhe t’ia rrezikojë karrierën e mëtutjeshme portugezit, prandaj ka kërkuar që lojtari të mendojë mirë para se të kthehet në fushë.

Sanchez (që është konsultuar edhe në kohën e lëndimit të Luka Modric) nuk është i vetmi që i ka rekomanduar Ronaldos që të mos luajë ndaj Cityt. Të njëjtën gjë ia ka thënë edhe Jose Noronha, specialisti i cili ka operuar Pepen dhe Radamel Falcaon.

Pritet që lojtari ta marrë vet vendimin pak para ndeshjes. Por, një gjë është e qartë: Reali me Ronaldon dallon shumë nga skuadra në të cilën nuk luan futbollisti kryesor, prandaj ai i nevojitet ekipit për të shkuar në finale. /Telegrafi/