Takimi i Hashim Thaçit me Vladimir Putinin në Francë, ka ngjallur debate në opinionin publik në lidhje me atë se kush e aranzhoi takimin.
Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, analistët kanë hedhur supozime të ndryshme se kush mund të ketë qenë iniciator i këtij takimi.
Analisti Imer Mushkolaj thotë se opinioni nuk e ka prit një takim të tillë mes Thaçit dhe Putinit.
“Do të ishte normale takimet mes presidentëve, qoftë edhe me atë rus, por duke e vendosur këtë takim në kontekstin e debateve të fundit për shkëmbim territoresh, atëherë ky takim ka marrë konotacion tjetër”, thotë Mushkolaj.
Mushkolaj thotë se vetë mënyra se si janë prezantuar fotografitë e takimit mes Thaçit dhe Putinit, lenë të kuptohet se nuk ishte diçka e rastësishme.
“Nuk është takim si me z.Trump apo kancelaren Merkel që Thaçi i bëri në korridore”, deklaron Mushkolaj, përcjell Telegrafi.
Analisti thotë se takimi i Thaçit me Putinin, në këndvështrimin e tij, nuk është normal, për shkak të kontekstit kohor kur ka ndodhur.
“Nuk është një takim normal. Në kontekstin kur ka ndodhë dhe çfarë mbështetje i është premtuar Thaçit nga Putin”, thotë Mushkolaj.
Për analistin Arton Demhasaj takimi mund të konsiderohet pozitiv, nëse është aranzhuar nga kushdo, përpos Serbisë.
“Unë mendoj që takimin Thaçi-Putin e ka organizuar Franca, si nikoqire e aktivitetit, por edhe si mbështetëse e ideve të Thaçit për shkëmbim të territoreve ose për arritjen e një marrëveshje”, thotë Demhasaj.
Demhasaj thotë se Thaçi nuk duhet të përjashtohet nga procesi i negociatave me Serbinë, për shkak se ka një eksperiencë të gjatë në procesin e negociatave.
“Por, po duket se Thaçi po synon një skenar të ngjashëm me demarkacionin me Malin e Zi… Ai do të shfrytëzojë status quon e tanishme në Kuvendin e Kosovës, dhe po e vazhdon procesin negociator deri te arritja e një marrëveshje me Serbinë. Marrëveshja ose do të vinte në Kuvend ose do të dilte në referendum”.
Sipas Demhasajt, një marrëveshje e arritur mes dy presidentëve do të ishte vështirë e refuzueshme nëse do të mbështetej edhe nga ndërkombëtarët.
“Një marrëveshje e tillë nëse do të mbështetej nga ndërkombëtarët kush do të mund ta refuzonte”, thotë Demhasaj./Telegrafi/