Policia në Las Vegas është duke hetuar një rast, pasi një zyrtar policor shtiu dhe vrau babanë 43-vjeç që i kishte telefonuar policisë dhe kishte kërkuar ndihmë, pasi dikush ishte futur në shtëpinë e tij.
Brandon Durham kishte telefonuar policinë, pas raportimit se dy persona po shtinin me armë jashtë shtëpisë së tij dhe po tentonin të futeshin në pronën e tij, ka njoftuar policia.
Ai ishte një prej telefonuesve që raportoi të shtënat në polici, ka njoftuar zëvendës-sherifi i policisë së Las Vegasit, Dori Koren, transmeton Telegrafi.
Durham kishte bërë të ditur se gjendet brenda shtëpisë me vajzën e tij 15-vjeçe, dhe se janë mbyllur në tualet.
“Humbja e jetës në çfarëdo lloji të incidentit si ky është gjithmonë tragjik, dhe këtë duhet ta trajtojmë me seriozitet”, shtoi Koren.
Nga policia shtuan se tre zyrtarë policorë i janë përgjigjur thirrjes duke u futur me shpejtësi në shtëpi, pasi panë disa vetura të dëmtuara jashtë dhe dritaren e thyer të shtëpisë.
Kamerat e vendosura në uniformat e policëve, shfaqin policët që shqelmojnë derën dhe futen brenda duke bërtitur.
Derisa njëri prej tyre me armë në dorë futet brenda, dëgjohen britma dhe krisma. Ai hasi në dy persona në derë, njëri i veshur me të kuqe dhe tjetri me të brendshme që ia kishte vendosur duart në qafë tjetrit.
Por personi pa rroba më vonë është identifikuar si Durham, kurse tjetri i veshur me të kuqe si Alejandra Boudreaux, i dyshuar për rastin.
“Hidhe thikën, hidhe thikën”, dëgjohet polici duke e urdhëruar.
Dy sekonda pas këtij urdhri, polici shtie me armë dhe duket se godet Durhamin gjykuar nga pamjet e siguruara nga kamerat.
Që të dy Durham dhe Boudreaux u rrëzuan në tokë dhe polici shtiu edhe pesë herë.
Hetimet për të shtënat janë akoma në fazën e parë, kurse Koren ka theksuar se ka pasur një pauzë prej tre sekondash nga shtëna e parë dhe e dyta.
E pavarësisht se policët i ofruan ndihmën Durhamit, ai është shpallur i vdekur në vendin e ngjarjes. /Telegrafi/