Site icon Telegrafi

Dikush e ka gabim edhe në Prizren

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja dhe blloku opozitar LDK, AAK dhe LDD, përfundimisht kanë vendosur t’i qërojnë hesapet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ata kanë rënë në ethe të pritjes së një vendimi të drejtë të kësaj gjykate lidhur me (mos)funksionimin e Kuvendit të Prizrenit. Frika e Mujës dhe dëshira e opozitës është rritur dukshëm nga vendimet e fundit, që Gjykata Kushtetuese e mori ndaj ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut dhe kryetarit të Rahovecit, Qazim Çeska. Të dy palët janë të bindur se edhe në rastin e Prizrenit, Gjykata Kushtetuese, do të veprojë drejtë dhe në mënyrë objektive. Në shkresat që i kanë deponuar në këtë gjykatë, kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, dhe blloku opozitar LDK, LDD dhe AAK, akuzojnë njëri-tjetrin për mosfunksionimin e kuvendit në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Opozita është e bindur se kryetari Muja, i ka shkelur të gjitha ligjet në fuqi, dhe se Kuvendi Komunal i Prizrenit, vazhdon të mbetet jofunksional që nga fillimi i mandati të dytë të tij, prandaj edhe kërkon që të shpallen zgjedhjet e parakohshme.

Kuvendi nuk ka arrit të mbajë asnjë mbledhje të rregullt nga dita e konstituivit me 15 shkurt deri me 15 gusht, periudhë kjo gjashtëmujore. Letrat sugjeruese që MAPL, ia ka dërguar thuaja çdo muaj, nuk i linin fort përshtypje Ramadan Mujës. Madje, në konferencat për shtyp, ai e kishte shumë mërzi t’i komentonte letrat e MAPL-së, në të cilat kërcënohej me shpërbërje të Kuvendit, nëse nuk mbahet asnjë seancë e rregullt brenda gjashtë muajve. Të gjitha shkresat sugjeruese për shkelje të ligjit të MAPL-së, ai i interpretonte sipas dëshirës se vetë, madje shpesh herë duke i adresuar në drejtim të opozitës. Akuzat edhe sot vazhdon t’i vlerësojë kryekëput politike. Në pamundësi për të konsoliduar Kuvendin, për shkak problemeve të brendshme nuk ka ngurruar që për të gjitha dështimet e tij, të akuzojë bllokun opozitar, përkatësisht LDK-në, AAK-në dhe LDD-në. Akuzat e tij, kundër opozitës për “puç”, kryetari Muja nuk i ka lënë anash as në shkresën (arsyetimin), të cilën i ka dërguar Gjykatës Kushtetues. Madje, as nuk e sheh vetën si palë në procedurën që blloku opozitarë e ka nisur në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. “Më mungon legjitimacioni pasiv që të jem i paditur, sepse sipas nenit 5 paragrafi 1 pika a të Ligjit nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen e Komunave i cili flet për Statusin Ligjor të Komunës. Komuna është person juridik dhe si person juridik, çdo komunë në mes tjerash ka kompetenca, që të padisë dhe paditet në gjykata. Prandaj, në këtë ligj, askund nuk përmendet që kryetari i një Komune mund të paditet në ndonjë gjykatë e në rastin konkret pranë Gjykatës Kushtetuese”, përgjigjet Muja në letrën që ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Me këtë arsyetim kryetari Muja nuk dëshiron dhe nuk është i gatshëm të marrë përsipër asnjë përgjegjësi për çfarëdo shkeljesh eventuale, që mund të ketë bërë si kryetar i Prizrenit! Pavarësisht mënyrës së interpretimit të nenit 5 paragrafi 1 pika a të Ligjit nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen e Komunave, ai nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për mosfunksionimin e Kuvendit të Prizrenit. Përkundrazi,përgjegjësia për mosfunksionimin e Kuvendit të Prizrenit, dyfish bie mbi Mujën. Ai, përveç që është kryetar i Komunës, është edhe në krye të Degës së PDK-së në Prizren. Mungesa e votave në Kuvend dhe mosfunksionimi si duhet i koalicionit qeverisës, nuk mund të mos i bie Mujës mbi barrë. Opozita s’ka faj pse koalicionit gjatë kësaj periudhe kohore, i kanë munguar votat për të funksionuar qeveria pa pengesa. Opozita në Prizren, mund të akuzohet vetëm për shumë (mos)veprime të tjera, por jo edhe për bllokimin e Kuvendit. Shqetësimet e tyre në shumë raste kanë qenë në vend të duhur, edhe pse shpeshherë kanë rënë në kundërshtim me vetveten.

LDK-ja, AAK-ja, dhe LDD-ja në Prizren, përkundër shumë reagimeve dhe akuzave që ka bërë në drejtim të “Qeverisë Muja”, gjatë kësaj periudhe kohore nuk e kanë demonstruar rolin e tyre opozitar. Me deklarimet dhe veprimet e demonstruar, shpesh kanë rënë në kundërshtim me rolin e tyre, dhe interesin e qytetarëve. Duke u thirrur në mbrojtje të ligjit, jo rrallëherë kërkesat e tyre kane qenë në kundërshtim me ligjin. Në emër të mbrojtjes dhe respektimit, nga MAPL –ja, ata kërkonin të shkelen ligjet në ato raste kur kryetari Ramadan Muja, kapërcente kizën e qeverisjes. Mënyra e interpretimit të akteve ligjore dhe nënligjore, të krijon përshtypjen se opozita në Prizren, këto akte i sheh më shumë si një fushë futbolli, në të cilën kush jep gola më shumë shpallet fitues i lojës. Me interpretime të tilla, opozita vetëm sa ka krijuar huti tek vetja dhe qytetarët. Ligjet duhet të respektohen edhe në ato raste kur si opozitë apo si parti politike nuk mund të përfitosh poenë politike. Pikërisht si rezultat i keqinterpretimit të ligjit, opozita në këtë qytet, ka disa muaj që e ka braktisë edhe Kuvendin. Interesin e votuesve të tyre më të arsyeshme e kanë parë të mbrojnë në ëmbëltore të qytetit se sa në Kuvend!!! Kjo mënyrë e veprimit s’ka të bëjë asgjë me rolin opozitar. Interesi i votuesve mund të mbrohet vetëm në institucionet përkatëse, dhe kurrsesi nëpër lokale të qytetit.

Paralajmërimi i opozitës për të mbledh nënshkrime për shkarkimin e Mujës nga posti i kryetarit të Prizrenit, pas marrjes së vendimit të Gjykatës së Kushtetues, është dëshmia dhe tregimi më i mirë se sa ka qenë dhe është e interesuar opozita t’i mbrojë dhe respektojë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të Ramadan Mujës, iniciativa e mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkim, nga ana e opozitës, do të jetë një iniciativë e kotë. Me një iniciativë të tillë, nuk do të mund të hyjë Prizreni në zgjedhje të parakohshme. Madje, mbledhje e nënshkrimeve për shkarkimin e Mujës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të përdoret as për fshatë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kryetari Muja do të forcohet dhe gjatë gjithë kohës do të propagandojë se është njeriu i respektimit të ligjit. Pavarësisht konstatimeve dhe vlerësimeve të ndryshme, dikush e ka gabim për (mos)funksionimin e Kuvendit të Prizrenit dhe mbrojtjes së interesit të qytetarëve. Gjykata Kushtetuese, do të jetë ajo e cila përfundimisht do të vendosë se kush ka pasur të drejtë në të gjitha akuzat e ngritura në mes pozitës dhe opozitës në Prizren. Pushteti dhe opozita, pavarësisht dëshirave të tyre, do te duhej që të respektojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, dhe t’i lënë anash iniciativat të cilat nuk shkojnë në interes të qytetarëve.

Exit mobile version