Nga: Ben Blushi
Këtë burrë me kryq mbi shpinë, e takova përpara ndeshjes Roma-Feynord në Tiranë.
– Ç’bën këtu – e pyeta.
– Të gjithë janë tifozë të futbollit sot – tha.
– Po ti çfarë je?
– Unë jam tifoz i Krishtit.
– Ku po e çon këtë kryq?
– Nuk po e çoj asgjëkundi, po e mbaj mbi shpinë.
– Pra, ti mban mbi shpinë mëkatet tona si Krishti?
– Sigurisht, edhe të tuat.
– Nuk mendon se pesha e mëkateve është e pamundur të mbahet nga një njeri i vetëm?
– Dikush duhet ta bëjë – tha burri.
– Po pse ti? – e pyeta.
– Sepse askush nuk e bën, as ti nuk e bën.
– Unë sigurisht nuk e bëj, mezi mbaj mëkatet e mia – thashë unë.
– Ti nuk beson – tha burri.
– Nga e di ti që nuk besoj ?
– Të kam lexuar librat.
– Mendon se kuptohet shkrimtari nga librat e vet? – e pyeta.
– Shpirti i shkrimtarit mund të njihet nga mënyra si flet për shpirtrat e tjerë.
– Po nëse unë të bëj ty një foto, a mendon se mund ta njoh shpirtin tënd përmes saj?
– Fotoja nuk është pasqyrë e shpirtit, por e çastit – tha burri.
– Meqë u njohëm, do të të bëj një nder – thashë unë.
– Çfarë nderi? – pyeti burri.
– Nuk do ta tregoj as emrin as fytyrën.
– Po pse do të më fshehësh? – pyeti burri.
– Dua të të mbroj – thashë unë.
– Nga kush do më mbrosh?
– Nga gjithë ata që bëjnë mëkate dhe do vijnë tek ty të të kërkojnë t’ua mbash kryqin mbi shpinë – thashë unë.
– Kjo është detyra e Zotit – tha burri – nuk kam nevojë të më mbrosh nga mëkatarët.
– Epo tani ta dhashë fjalën, thashë unë, mbete i panjohur.
– Vetëm në Facebook-un tënd – tha burri.