Telegrafi

Dikur vlerësohej talenti, sot “artist” bëhet ai që ka para

Një natë pasi u rikthye në Festivalin e 11 të Këngës, ku performoi këngën e tij të 47 viteve më parë, Bashkim Alibali vjen në një rrëfim ndryshe.

Përjetimet e vitit 1972 i kujton si një moment i cili edhe pse kishte si synim ‘syrgjynimin’ e artit, e forcuan atë duke e risjellë pas gjashtë vitesh në skenë, edhe më të fortë.

Kur bën krahasimin e artistëve të asaj periudhe me artistët që ofron sot tregu muzikor shqiptar, Alibali shpreh rezerva. Ai thotë se më parë vlerësohej talenti, kurse sot bëjnë art ata që kanë para.

“Sot incizon kush ka para, bën videoklip kush ka para, botohen romane e libra nga ata që kanë para. Në atë kohë është vlerësuar shumë talenti, ka patur shumë talente që kanë dalë në dritë, nuk futeshin njerëz të patalentuar. Në atë kohë ka ecur talenti, jo paraja. Pavarësisht se sot teknika është më e avancuar. Njerëzit e mëdhenj të asaj kohe kanë zgjedhur elementet më të mirë, jo vetëm në muzikën e lehtë, por në çdo fushë të artit. Tani ka një farë egoizmi. Njeriu duhet të ketë egoizëm për veten e tij, jo për të tjerët. Nuk ka shoqëri të sinqertë mes artistëve, siç kishte dikur”, ka thënë ai. /Shqiptarja/