Telegrafi

Dikur luante te Ramiz Sadiku e Drenica, sot kapiten i skuadrës kroate (Foto)

Amir Rrahmani është një nga lojtarët më të mirë që ka prodhuar futbolli i Kosovës nga paslufta e këtej.

Djaloshi nga Prishtina është nga ata futbollistë që i ka djegur etapat e karrierës një nga një me hapa të vogël, por të sigurt.

Karrierën e kishte nisur të Ramiz Sadiku, ndërsa kishte luajtur edhe në Drenicë para se të kalonte në Shqipëri te Partizani.

Rrahmani ka qenë pjesë e grupmoshave te Përfaqësuesja e Kosovës, ndërsa sa ishte te Partizani mori pasaportën e Shqipërisë dhe bëri disa ndeshje me U-21.

Lexo po ashtu Futbollisti i kombëtares shqiptare në formacionin e vitit në Kroaci (Foto)

Ai ka debutuar edhe në ekipin e parë Kombëtar, ndërsa ishte në listën e ngushtë të 25 lojtarëve të ftuar nga De Biasi për Kampionatin Evropian.

Edhe pse nuk ishte zgjedhur për të na përfaqësuar në Francë, djaloshi 22 vjeçar mbetet njëri ndër lojtarët më premtues shqiptar.

Këtë më së miri e ka vërejtur klubi kroat kua luan aktualisht RNK Split.

Në ndeshjen hapëse të kampionatit atij i është dhënë shiriti i kapitenit kundër Lokomotivës së Zagrebit.

Ai shprehet i lumtur që klubi i tij e ka nderuar. “Është ndjenjë e mirë të jesh kapiten i ekipit dhe është vlerësim për mua, pasi në ekip ka lojtarë edhe me të vjetër se unë. Sigurisht kjo më motivon edhe më shume të vazhdojë dhe të punoj”, ka thënë Rrahmani për Telegrafin.

“Në kampionat shpresojmë që të arrijmë të fitojmë sa më shumë ndeshje dhe të marrim pikë që në fund të arrijmë të dalim në garat ndërkombëtarë”, ka nënvizuar mbrojtësi shtatlartë.

Rrahmani edhe pse në vitin e dytë te kjo skuadër ka fituar zemrat e tifozëve kroat, ndërsa ka kërkesa nga disa skuadra evropiane që të ndërrojë mjedis. /Telegrafi/