Site icon Telegrafi

Dikur gjithçka ka qenë më mirë!?

Pyetje drejtuar radios Erivan: “Çfarë duhet të bëj, nëse papritur më humbet dëshira për të punuar?”

Përgjigja: “Shok uluni me qetësi. E kjo do t’ju kalojë.”

Ministri i Jashtëm rus preferon të tregojë anekdota nga koha e komunizmit. Ndoshta e ka trashëguar këtë nga babai i tij armen? Ndonjëherë këto shaka të ndihmojnë për të dalë nga situata e vështirë në parketin diplomatik. Por jo gjithmonë.

Aktualisht ai ankohet që asgjë nuk ecën në politikën e jashtme. SHBA-të përpiqen ta ndëshkojnë Rusinë me të gjitha mjetet. Madje edhe në kohën e Luftës së Ftohtë disa gjëra kanë qenë më mirë.

Deri më tani kreu i diplomacisë ruse nuk ka shprehur keqardhje. Përkundrazi. Sergej Lavrov mund të jetë i ashpër dhe gjuhëmprehtë. Ministrit të Jashtëm amerikan ai ia preu, refuzon të bisedojë me të, nëse kjo është në dobi të interesave të Moskës. Ndjenjat – përveçse kur bën shaka dhe tregon anekdota – Lavrovi nuk i shfaq: e rëndësishme është të mos tregojë dobësi!

Por, aty ku Lavrovi ka të drejtë, ka të drejtë: Marrëdhëniet me Perëndimin kanë mbetur në vend numëro. Ajo çfarë e bën atë të reflektojë është, se nuk duket të ndryshojë gjë për një afat të parashikueshëm. Hija e luftës në Ukrainë po zgjatet gjithnjë e më shumë. E kjo bën që politikanë si Lavrovi në pjesën më të madhe të botës të gjykohen për paaftësi. Sepse është një gjë të shkosh në një konferencë si ajo në Munih apo në Nju Jork. Dhe një gjë krejt tjetër është të kthehesh në Moskë me një rezultat – ose të paktën me një perspektivë për një rezultat në të ardhmen.

Nëse aktualisht në parketin diplomatik praktikisht nuk ecën asgjë, atëherë në pjesën më të madhe Kremlini duhet të mbajë vet përgjegjësi. Askush nuk e di më mirë këtë sa ministri i Jashtëm rus.

Çfarë e vështirëson edhe më shumë situatën, është gjendja e politikës së brendshme në Uashington. Në Kongres e kanë fjalën ata, që gjithmonë kërkojnë sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë. Me këtë ata shkëpusin vëmendjen prej problemit të vet: një president në Shtëpinë e Bardhë, të cilit askush nuk i beson në politikën e jashtme – e aq më pak lidhur me temën e Rusisë. Trump nga ana e tij mund të bëjë, sikur do të lëshojë pe të paktën ndaj republikanëve, nëse ai i miraton sanksionet e mëtejshme. Senatorët si John McCain apo Marco Rubio duket se kanë ndjenjën, që mund ta venë në lëvizje presidentin.

Nga këndvështrimi i Amerikës është më e leverdishme që të shtrëngohet edhe më tej spiralja e sanksioneve. Sepse më së paku mund të preket prej tyre ekonomia e SHBA-së. Në radhë të parë ato që e vuajnë janë sipërmarrjet gjermane, vendet gjermane të punës dhe të ardhurat gjermane prej tatimeve. Në këtë drejtim amerikanët i ngjajnë një gjenerali, që i thërret për betejë aleatët, por trupat e veta i lë në kazerma.

Kjo politikë nuk do të funksionojë përgjithmonë. Ekonomia gjermane insiston që t’u jepet fund sanksioneve. Qeveria edhe për disa javë do të jetë e bllokuar prej bisedimeve për krijimin e koalicionit për qeverinë e re. Por pas kësaj shumë shpejt do të vlejë përparësia politike – e jo të pasurit gjithmonë të drejtë.

Marrëveshja e Minskut ndërkohë e konsideruar prej të gjithëve si e dështuar është udhërrëfyese për paqen në Ukrainë. Rusisë duhet t’i jepen stimuj, për të qenë e gatshme për kompromise. Kërcënimet dhe sanksionet vetëm sa e ashpërsojnë gjendjen. E prej kësaj në fund humbasin të gjithë.

Exit mobile version