Site icon Telegrafi

Dikur, gishti i Hafnerit pat mbetur i vetmuar

Serbia vazhdon shantazhet ndaj fqinjëve

Zhvillimet aktuale në shtetet që dolën nga shpërbërja e Ish Jugo-serbisë, dëshmojnë se gishti i sllovenit Vinko Hafner ende është aktual. Kur vozhdi kishte marrë hov dhe po dilte furishëm në skenë, me fushatën e tij kundër Kosovës, në mbledhje të KQ të LKJ-së , vetëm Hafneri ia pat pritur shkurt Millosheviqit, se rruga që ka zgjedhur, shpie në humnerë.

Edhe shumë zhvillime të sotme sikur dëshmojnë për zhvillime të ngjashme dhe tërheqin vërejtjen se çdo tolerancë ndaj Serbisë mund të jetë fatale për paqen në Ballkan.
Gishti i Hafnerit, jo që hyri në enciklopedi, por ai gjatë më shumë se njëzetë vjetëve dëshmoi se sa të drejtë pati heroi e politikani slloven.

Sot kur Serbia, në plan të parë duket se ka Kosovën, ajo në të vërtetë nuk ka plan tjetër përveç kufirit Karllovac Kallobag – Virovitcë dhe Horgosh – Gjevgjeli.

Sllovenia ishte dhe mbeti gjithnjë e vendosur dhe parimore. Mirëpo, kështu nuk vepruan ish drejtuesit e atëhershëm e për fat të keq as ata të tashmit të republikave të tjera. Edhe atëherë edhe sot, ata ose ulin kokën ose pajtohen në heshtje me politikën aktuale serbe, e cila nuk dallon nga ajo e viteve të nëntëdhjeta, jo vetëm karshi Kosovës.

Nga zhvillimet e më vonshme u pa se çka vërtetë kishte qellim vozhdi. Derisa po kalëronte lirshëm nëpër trojet e ish republikave (përveç Sllovenisë e cila ia pat ndaluar tubimin e falangave serbe), të tjerët vetëm po shikonin se si po digjej edhe vetë ideja për ekzistimin e mëtutjeshëm të ish Jugoserbisë.

Edhe sot, jo vetëm shtetet fqinje të Serbisë, por edhe Bashkimi Evropian me SHBA-në duhet t’ia ngrinin gishtin Beogradit, bile më me forcë se Hafneri dikur. Kushdo që mendon se Serbia mund të qetësohet vetëm duke ia plotësuar oreksin e saj në Kosovë, duhet ta ketë të qartë se apetitet e Beogradit zyrtar nuk përfundojnë këtu. Edhe çdo deklaratë e pamatur që shkon në favor të Serbisë mund të ketë koste të lartë për paqen në rajon.

Duke ndjekur me interesim zhvillimet e fundit, vërehet njëfarë euforie se Serbia ka filluar të demokratizohet, gjë që nuk përkon me realitetin. E dhe vozhdi dikur kishte plot gojën demokraci. Madje kanë filluar të shtohen deklaratat e komentet se Serbia mund të marr statusin e kandidatit për anëtar të BE-së, e madje edhe të bëhet anëtare e BE-së, pa njohur Kosovën.

Në kuadër të të gjitha këtyre lëvizjeve dhe zhvillimeve në rajon dhe për rreth tij edhe Kosova duhet ta ketë të qartë se Plani i Ahtisarit është dhe mbetet kompromisi më i madh i mundshëm, të cilin plan Serbia ka për ta kërkuar nesër, kur do të jetë vonë.

Sot edhe pas 23 vjetësh, kur temë qendrore për Evropën dhe SHBA-të ende është rajoni i Ballkanit, çdo lëshim pe ndaj presioneve të Beogradit duhet kuptuar qartë se, Serbia nuk ka për tu ndalur kurrë vetëm me Kosovën. Hapi i parë i Serbisë pas Kosove është Bosnja ndërsa në të dytin Mali i Zi.

Edhe Maqedonia me do grupe radikale millosheviqiane mashtrohet rëndë nëse mendon se do të mbetet jashtë frontit të një lufte te re.

Për aktualitetin politik serb flasin edhe shumë analist të njohur jo vetëm nga rajoni por edhe Evropa. Vlerësimet sillen prej konstatimit se; politika aktuale serbe vazhdon të jetë e njëjtë me atë të Millosheviqit, e deri të parashikimi ogurzi për luftë të re në këto anë.

Çka thonë analistët?

Katër pikat e reja të planit të Tadiqit nuk janë asgjë tjetër përveç një kurth i ri i politikës serbe për t’ia tërhequr vëmendjen opinionit, thotë profesori serbi Dushan Janjiq, dhe shton se tri nga ato pika janë të përfshira në planin e Ahtisarit.

Ndërkaq, Zharko Koraq, profesor dhe deputet i Kuvendit të Serbisë thotë shumë qartë se Beogradi po zhvillon politikë të njëjtë me atë të viteve të 90-ta. Në njërën anë Serbia njeh si shtet BeH, ndërsa në tjetrën nuk pranë fushatën kundër saj, me parullat e njohura se BeH nuk mund të ekzistojë si e tillë çfarë është.

Madje dyshohet edhe për lëvizje të pakëndshme dhe të papranueshme të politikës së Kroacisë karshi Bosnjës, thekson Ivo Banjac, profesor i historisë nga Zagrebi dhe shton se ka indikacione se politika kroate në këtë çast po bashkëpunon me Serbinë në një projekt të rrezikshëm e që është në kundërshtim të plotë me vullnetin e Perëndimit. Serbia duke destabilizuar BeH përpiqet që të bind Evropën se Bosnja nuk mundtë ekzistojë. Kroacia ka filluar me të madhe të mbyll sytë karshi Bosnjës, thotë Banjac , e kështu kishte vepruar edhe kur filloi zhbërja e RSFJ-së. Kjo dukuri në politikën kroate është e rrezikshme dhe nuk do t’i sjell të mira as Zagrebit.

Histeria e medieve serbe vazhdon

Se sa mediet serbe janë në funksion të politikes aktuale të Beogradit në raport me vendet fqinje shihet se si ato janë në koordinim të plot dhe veprojnë me sinkronizim e herë-herë edhe si një kor. Kjo histeri ndaj Malit të Zi u pa me rastin e shkrimit të Nikollaidisit dhe të shkarkimit të drejtorit të Bibliotekës kombëtare serbe, Ugriqiq. Cilido medium serb vërsulet me ndonjë shkrim kundër Kosovës apo Bosnjës, ai shënim do të botohet e emetohet në mënyrë të sinkronizuar në të gjitha mediet serbe pa përjashtim duke u shndërruar në fushatë.

Histeria e këtyre medieve kundër filmit te Zhuliana Zholit është zgjeruar edhe kundër çdo aktori serb që ka marrë pjesë në ketë projekt.

Analistet e informuar mirë kanë filluar të shfaqin e dhe rezervat e tyre sa i përket qëndrimit të BE-së në raport me Ballkanin Perëndimor. Njohësit e mirë të rrethanave në rajon pajtohen me vlerësimin se vetëm SHBA-ja me qëndrim të vendosur e parimor mund të pengoj rrëshqitjen e Ballkanit drejt një luftë të re.

Serbia keqpërdor edhe sportin edhe kulturën kundër fqinjëve

Sa eksese shkaktuan, grupet të koordinuara e të organizuara mirë nga politika aktuale serbe nëpër rrugë e stadiume të ndryshme, madje edhe nëpër shtete shumë larg Serbisë, organizatat relevante ndërkombëtare asnjëherë nuk i dënuan federatat përkatëse të Beogradit.

Dhunën e këtyre grupeve e shijuan edhe një herë simpatizuesit kroat në kampionatin e sapo përfunduar të hendbollit. Si edhe shumë herë më parë, shqiptarët edhe pse nuk ishin pjesëmarrës nuk u harruan të fyhen si gjithherë. Dihet vrasja e simpatizuesit francez të futbollit në Beograd dhe maskarada e drejtësisë serbe lidhur me këtë. Edhe pas orgjive kriminale në stadiumin e Gjenoas ku luanin Italia e Serbia, nuk u ndërmor asgjë nga UEFA e FIFA. Çdo rezultat sportiv serb në arenën ndërkombëtare, këto grupe e shfrytëzojnë për fyerje dhe për të organizuar histeri antishqiptare,ndërsa, ata që kanë kompetenca për dënime heshtin, gjë që nuk i bënë nder sportit, por në një mënyrë ia shton apetitet Serbisë për të vazhduar politikën e njohur e të provuar tashmë.

Exit mobile version