“Të gjithë e kanë mbretin e tyre, ndërsa Kujtim Shala është mbreti ynë”. Ky ka qenë transparenti legjendar derisa Kujtim Shala luante për Kroacinë.
Ishte viti 1990, kur në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit ai debutoi për Kroacinë në takimin kundër SHBA-së, të cilën ndeshje e fituan kroatët me rezultat 2-1. Kujtim Shala, ish-futbollisti legjendar i Prishtinës të viteve të 80-ta dhe i Kombëtares kroate të futbollit (viteve të 90-ta) nuk do të jetë i pranishëm në Shkodër në ndeshjen Kosovë-Kroaci, e vlefshme për kualifikimet për Kampionatin Botëror – “Rusia 2018”.
Në një interviste për gazetën “Lajm” nga Maqedonia, Shala rrëfen për ndeshjen në fjalë, për kë do të anojë, mospraninë e tij në takimin historik, hidhërimin ndaj FFK-së e të tjerë.
“Edhe pse do të jetë vështirë, unë pres fitoren e Kosovës. Do të anoj për Kosovën sepse jam shqiptar. Por, Kosova nuk ka se çka të humbë, por edhe nëse humbin nuk është turp të pësosh nga një kombëtare si Kroacia”, ka thënë Shala.
Ai thotë se nuk ka marrë ftesë nga asnjëra federatë, as e Kosovës dhe ajo kroate.
“Jo, nuk kam marrë ftesë. Mirëpo, edhe sikur të më kishte ftuar Kosova nuk do të kisha shkuar. E dinë ata më së miri pse. Ndërsa, sikur federata kroate të më ftonte do të isha ndier i nderuar, por them se nuk do të kisha udhëtuar për në Shkodër”.
“Jam larg në Gjermani në qytetin Mannheim. Kam obligime ndaj familjes sime. Duhet të jemi afër, pasi për mua familja është mbi të gjitha. Në Gjermani punoj në zbulimin e talenteve të rinj”, ka theksuar ai.
Shala tregon edhe arsyen përse i ka mbetur hatri në FFK-në. “Të them të drejtën jam i hidhëruar shumë në Federatën e Futbollit të Kosovës për shkak të djalin tim, të cilin nuk e kanë ftuar të luajë as për një ndeshje miqësore, vetëm për shkakun tim. Andis Shala i përmbush të gjitha kriteret e një sulmuesi”, ka deklaruar Shala.