Klubi i Chelseat i ka kërkuar falje ish-futbollistit Gary Johnson, i cili kishte përjetuar abuzim seksual gjatë kohës sa ishte anëtar i ekipit të të rinjve në vitet e shtatëdhjeta.
Në një komunikatë të lëshuar nga Blutë thuhet se Johnson ka vuajtur jashtëzakonisht shumë dhe se klubi nuk dëshiron të fshehë asnjë abuzim nga e kaluara, transmeton Telegrafi.
Po ashtu, është bërë e ditur se do të bëhet një rishqyrtim i çështjes për të vërejtur nëse hetimet janë bërë siç duhet dhe e vërteta të dalë në shesh. Njëherësh, nga klubi duan të mësojnë se pse nuk u informuan Federata angleze e futbollit dhe Liga Premier asokohe.
Johnson ishte pjese e ekipit të parë të Chelseat gjatë viteve 1978-1981. Ai iu bashkua klubit si 11 vjeçar (në vitin 1970), ndërsa nga mosha 13-vjeçare ishte keqtrajtuar seksualisht nga zbuluesi i talenteve, Eddie Heath.
Heath, i cili ka qenë shef i zbuluesve të talenteve gjatë viteve 1968-1979, kishte vdekur para se të ngriheshin akuzat kundër tij.
Mirror njofton se Johnson kishte nënshkruar një marrëveshje konfidencialiteti në vitin 2015 dhe kishte pranuar 50.000 funte nga klubi. 57-vjeçari ka thënë se klubi e ia ka paguar paratë në mënyrë që ai të heshtte rreth keqtrajtimit seksual. Mirëpo, Chelsea e ka mohuar këtë duke theksuar se marrëveshja është keqinterpretuar.
Ndryshe, hetuesit e kanë marrë përsipër këtë rast dhe janë duke i rishqyrtuar të gjitha faktet. Po ashtu, ata kërkojnë individë të tjerë të cilët kanë mundur të keqtrajtohen seksualisht nga Heath. /Telegrafi/