Telegrafi

Diku deri në 70 centimetra, bora në Kroaci ka shkaktuar kaos të plotë të trafikut

Bora që ka rënë në Kroaci gjatë ditës së diel ka shkaktuar kaos të plotë të trafikut.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, si pasojë, qindra drejtues mjetesh kanë mbetur të bllokuar në autostradën A1 dhe sipas njoftimit të mëngjesit të sotëm, situata është vetëm pak më e mirë.

Prej pasdites së djeshme, për shkak të kushteve meteorologjike, autoritetet kanë raportuar se situata mëngjesin e sotëm është pak më e mirë në pjesë të caktuara por në Dalmaci ka ende bllokime të tilla.

Ndërkohë në disa pjesë, anëtarët e Shërbimit Kroat të Shpëtimit Malor (HGSS) janë në terren dhe janë të angazhuar për të ndihmuar udhëtarët e ngecur në rrugë për shkak të sasisë së madhe të borës.

Dhe sipas informacioneve të fundit, diku është regjistruar deri në 70 cm borë e cila në disa pjesë do të vazhdojë të bjerë edhe ditën e hënë ndërsa në bregdetin e Adriatikut, pritet të ketë reshje shiu.

Përveç Kroacisë, bora ka shkaktuar kaos në komunikacion edhe në pjesën më të madhe të Bosnjë-Hercegovinës.

Për shkak të kësaj, trafiku po ecën ngadalë mëngjesin e sotëm, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë këshilluar të kenë kujdes maksimal. /Telegrafi/