Site icon Telegrafi

Diktatorët

Diktatorët çmenden me kohë, por me kohë ata duhet të ndalen, sepse bota nuk guxon të bie nën diktatin e tyre…

1. Milosheviqi…

Në kohën kur përdorimi i armëve kimike ishte dhe mbetet edhe sot nën embargo të fuqishme ndërkombëtare, gjatë fundit të shekullit të kaluar (vitet e 90-ta), përdorimi i helmeve kimike gjeti vend në Kosovë. Aso kohe, njerëzit nuk e kuptonin dhe as nuk e dinin se çfarë ishte duke ndodhur. Por, agresivitetit politik dhe shtetëror serb në Kosovë, ishte në kulm.

Ishin vitet e nacionalizmit serb dhe të liderit të këtij nacionalizmi, Milosheviq. Ky e kishte humbur arsyen e politikës racionale, respektimin etnik dhe politik të joserbëve, zbatimin e parimeve të shtetit ligjor-juridik etj. Fuqia serbe nuk i justifikonte as parimet natyrore-hyjnore, dhe as ato shoqërore-juridike. Fuqia serbe e preferonte verbërinë, gamën e terrorit, të shtypjes, të sundimit e pushtimit. Prandaj, më 16 mars 1990, strukturat e Sigurimit Shtetëror Serbo-Jugosllav (UDB) dhe të atij ushtarak (KOS), krahas terrorit sistematik në Kosovë, e bënë një veprim tmerrues: hodhën helme kimike nëpër shkollat fillore dhe të mesme shqipe të Kosovës.

Në ditën e parë, prova filloi në komunën e Podujevës dhe ditëve në vazhdim, hap pas hapi, në gjithë territorin e Kosovës. Personalisht, njëzetë e tri vite më parë kam qenë në Prishtinë (në Zona Qendër), në afërsi të Spitalit Qendror, kur kishte filluar dyndja e njerëzve rrugëve nga paniku dhe trishtimi dhe sjellja e pacientëve (e nxënësve) në spital, diku mes orës 9-10 të paradites! Në cilësinë e gazetarit i kam parë me sytë e mi në pavijonet e spitalit qindra e qindra nxënës (djem dhe vajza) të prekur nga helmi nervor kimik.

Ishin momente dramatike, pa koment, të paprovuara ndonjëherë. Pas pak ditësh, atëbotë mjekët shqiptarë patën konstatuar se bëhej fjalë për helme toksike. Sipas burimeve që pastaj, me kalimin e kohës rrodhën në opinion, projekti i hedhjes së helmeve ishte planifikuar të bëhej kundër studentëve të Universitetit të Prishtinës, por për arsye të përzierjes ndërnacionale të tyre, ky projekt ishte zhvendosur të zbatohej mes nxënësve, kryesisht nëpër rajonet dhe shkollat etnikisht me përbërje shqiptare.

Përdorimi i helmit, një akt i çmendur, vinte edhe pas një tendence të dështuar (pranverë, 1989) për të hedhur xham të bluar në ushqim, në mensën e studentëve të UP-së.

Përgjatë gjithë pjesës së dytë të marsit dhe të prillit, u hodhën helme toksike nëpër dhjetëra e dhjetëra shkolla, madje u tentua që kësi helmi të hidhet edhe në vendet publike. Ata që e mbajnë në mend këtë ngjarje, ju kujtohet se si në Beograd politika serbe fliste për një “lloj aktrimi politik të shqiptarëve”, nisur nga gjendja e trazuar në Kosovë. Por, u helmuan me mijëra djem e vajza prej të cilëve pati në ndërkohë edhe të vdekur, pati të atillë që mbetën përgjithmonë me hendikepe, dhe qindra të tjerë u deshtë të shërohen për vite të tëra në klinikat e ndryshme evropiane.

Paradoksi i kësaj ngjarje tmerruese ishte se askush nuk besonte në qarqet ndërkombëtare se diçka e këtillë mund t’ishte e vërtetë, praktike. Qëndrimet politike të Beogradit aso kohe merreshin si të vërteta. Por, pas disa kohësh, ish drejtuesi i “Mjekëve pa kufij”, Bernard Kushner, doli me konstatimin se ishte hedhur helm ushtarak nëpër shkollat e Kosovës. Ky helm quhej Sarin (LHL), dhe ishte prodhuar në një fabrikë ushtarake të APJ-së (Armata Popullore e ish Jugosllavisë), në Mostar (Bosnje dhe Hercegovinë).

Sjelljet e diktatorit serb Milosheviq ishin tragjike, të çmendura. Në dekadën që pasoi, deri në mesin e vitit 1999, nën urdhrat e tij Serbia i zhvilloi tri luftëra ( Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë), duke quar në botën tjetër mizorisht me qindra-mijëra njerëz të të gjitha moshave, duke shkaktuar biliona dollarë humbje ekonomike dhe duke e ndryshuar përgjithmonë jetën e të gjallëve (të kroatëve, boshnjakëve, serbëve, shqiptarëve etj.) nga dimensioni më i keq i mundshëm, i fatit të tyre. Pse? Sepse, Milosheviqi u çmend me kohë dhe e vuri në veprim çmendurinë e tij, kurse ai nuk u ndal me kohë dhe nën diktatin e tij, ra një pjesë e madhe e botës.

2. Bashar…

Shenjat, janë të njëjta, si ato dikur në Kosovë. Përdorimi i helmeve kimike është rikthyer sot, pas trembëdhjetë vitesh, në Siri. Diktatori Bashar el Asad, ditë më parë (21.08.2013), ka përdorur helme kimike ushtarake kundër civilëve në periferi të kryeqytetit të tij, Damask. I ndodhur nën trysninë e rebelimit popullor, Bashari e ka humbur tashmë kontrollin dhe po e vret e po djeg, po e dhunon popullin dhe vendin e tij. Tani ai po i përdor edhe helmet kimike.

Diktatori, i ka hedhur poshtë akuzat. Ai, ka thënë për gazetën e përditshme moskovite, Izvestia, se komentet lidhur me helmet që janë bërë nga politikanët në Perëndim dhe shtete të tjera, janë ofendim ndaj mendimit praktik. “Ato komente janë pa kuptim”, ka thënë ai. Por, dyshimet lidhur me sulmet me helme kimike, i ka theksuar Sekretari i shtetit i SHBA-ve, z. Xhon Keri, i cili ka thënë se nga helmet kanë pësuar 1.429 persona në lagjet periferike të Damaskut (30.08.2013). Edhe Qemal Poçi, nënkolonel dhe doktor i Shkencave Toksikologji-Veterinari, në një intervistë për të përditshme Dita (29.08.2013, fq. 15, Tiranë), ka vërtetuar se në Siri është përdorur gazi helmues-nervor.

“Në Siri është përdorur grupi i lëndëve helmuese luftarake neuro-paralitike, ose siç quhen ndryshe, gaze nervore. Në bazë të një dokumenti zyrtar të OKB-së në vitin 1969, në armatimin kimik të shteteve kryesore, nga mijëra përbërje lëndësh të studiuara në laborator, kanë qenë shtatë lëndë helmuese luftarake. Nga grupi më i fuqishëm i lëndëve neuro-paralitike ka qenë grupi i Sarin V-x, i cili ka helmueshmëri më të lartë. Helmimi me këto lëndë është aq i shpejtë dhe aq i rëndë, saqë mjekimi në etapa të ndryshme është i vështirë”. Lidhur me analizën dhe konstatimin e tij, z. Poçi ka shpjeguar se, krahas studimeve që ka kryer në Akademinë e Veterinarisë në Moskë, ka kryer dhe tre specializime: Në Moskë, 12 muaj në vitin 1957, me kinezët në Shqipëri gjatë viteve 1968-1972, si dhe një specializim tjetër në Kinë, në vitin 1971.

“Kam pasur mundësinë të njihem realisht me të gjitha LHL-të. Ndërsa me Sarinin që është përdorur në Siri, unë kam punuar si specialist për 17 vjet, dhe kam studiuar gjerësisht klinikën e helmimit të kafshëve eksperimentale-bujqësore, profilaksinë, mjekimin specifik, degazimin etj. Madje, për këtë lëndë kam mbrojtur dhe disertacionin (për Sarinin), dhe kam fituar titullin Doktor i Shkencave. Vetëm me Sarin kam kryer rreth 1000 eksperimente”, ka thënë nënkoloneli në pension, Qemal Poçi.

Ndërkaq, në kontekst me ngjarjen në Damask, diktatori Bashar ka deklaruar se helmet i kanë hedhur kryengritësit opozitar. Dikur edhe ish diktatori Milosheviq dhe pushteti i tij, jo vetëm që i hidhnin poshtë akuzat por, në diskreditim ndërkombëtar të shqiptarëve të Kosovës propagandonin se, “shqiptarët në Prishtinë po aktrojnë”! Duhet kujtuar këtu se, në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar, një gjë të këtillë e ka bërë edhe Hafez el Asadi, babai i Basharit, i cili e ka sulmuar pakicën kurde që jeton në veri të vendit me helme kimike dhe i ka likuiduar me mijëra prej tyre.

Familja Asad ka rreth katërdhjetë vite që e sundon Sirinë. Sot, në Damask, ekziston një klasë totalitare që udhëhiqet nga familja e Asadëve, e cila ka ndërtuar një sistem politik dhe ushtarak totalitar bizantin, kryesisht mbi bazën e urrejtjes etnike dhe fetare. Për rreth dy vite, ushtria e Basharit e rekrutuar nga alavitët, ndikimi i të cilëve në Siri ka filluar të shtrihet qysh prej vitit 1963, ka shfaqur urrejtje të madhe, urrejtje të pasuar me krime barbare kundër popullit. Pa hyrë në ndarjet e thella kulturo-fetare të sirianëve, ashtu si edhe të ndikimin politik, fetar dhe ushtarak të Rusisë dhe të Iranit, është e pajustifikueshme teoria dhe praktika e veprimeve të këtilla.

Në anën tjetër, lufta që e ka kapluar Sirinë, paraqet rrezik të përhapet. Njësoj siç paraqiste dikur rrezik për rajonin e Ballkanit, kriza e Kosovës. Gjendja e luftës mund të përhapet në Liban dhe implikimet mund ta përfshijnë edhe pjesën jug-lindore të Turqisë, Jordaninë, Izraelin etj. Pse? Bashari ka trashëguar fuqi kolosale ushtarake dhe një infrastrukturë të konsoliduar kriptokomuniste nga partia “Baath” të cilën sot e ka konvertuar me kriptoklerikët, me dilerët ekonomikë, me lëvizjet panislamike radikale (Hezbollah), pastaj me rreth 40 mijë familje siriano-ruse, si dhe me mijëra instruktorë e agjentë ushtarak nga Irani, Rusia, Koreja Veriore etj.

Bashari realisht ka nisur të bëhet i rrezikshëm jo vetëm për popullin e tij, por edhe për rajonin, për botën. Hija e tij dhe sedra e çmendur diktatoriale për pushtet, duket që s’do ta kursejnë askënd. Prandaj, këtij diktatori të vogël, por me sedër të rrezikshme, duhet marrë fuqinë që ka. Pushteti i Basharit është shndërruar tani në varr të vendit dhe të popullit të tij. Ai duhet të ndalet sa më parë! Si dikur pushteti i Milosheviqit, sa nuk është bërë vonë…

Exit mobile version