Telegrafi

Dijaneti i Turqisë deklarohet rreth “mundësisë së shtyrjes plotësisht të agjërimit të Ramazanit” – për shkak të coronavirusit

“Është farz (e detyrueshme) me urdhrin e Allahut që çdo besimtar i shëndetshëm të agjërojë gjatë muajit të Ramazanit dhe se nuk është e mundshme të shtyhet plotësisht ky adhurim”, thonë nga Dijaneti.

Drejtoria e Çështjeve Fetare të Turqisë (Dijanet) është deklaruar rreth asaj nëse është e mundshme “shtyrja plotësisht e agjërimit të Ramazanit”.

Në një njoftim nga Dijaneti janë sqaruar rrethanat në lidhje me muajin e Ramazanit dhe pasojat e agjërimit në këtë muaj gjatë pandemisë së Coronavirusit të ri (COVID-19), shkruan Anadoly Agency.

“Është farz (e detyrueshme) me urdhrin e Allahut që çdo besimtar i shëndetshëm të agjërojë gjatë muajit të Ramazanit dhe se nuk është e mundshme të shtyhet plotësisht ky adhurim”, thonë nga Dijaneti.

Sipas njoftimit, nga informacionet e marra nga ekspertët e fushës, agjërimi i individëve të shëndetshëm nuk përbën rrezik të veçantë në aspektin e përhapjes së COVID-19.

“Në Kur’an është lejuar që agjërimi të bëhet kaza (agjërimi që nuk është kryer në kohë dhe kryhet më pas), në rast të sëmundjes, një ndër arsyetimet kryesore për të mos agjëruar”, thuhet më tej.