Një tren Orange Line që operonte në zonën e Bostonit mori flakë në urën e lumit Mystic, duke shkaktuar panik tek pasagjerët, të cilët thyen xhamat për të dalë.
Vagoni mori flakë dhe u prish pak para orës 7 të mëngjesit ndërsa iu afrua stacionit Somerville.
Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë pasagjerët duke ikur nga dritaret ose duke zbritur nga treni. Dëshmitarët thonë se disa edhe u hodhën nga ura.
Drejtori Ekzekutiv i MBTA-së, Steve Poftak u kërkoi falje pasagjerëve për incidentin, duke thënë se ishte një ngjarje e frikshme. Në konferencën për media, ai tha se aksidenti është shkaktuar nga një copë metali, e cila është shkëputur dhe ka rënë në kontakt me një hekurudhë tjetër nëpër të cilën kalonte rryma.
Asnjë nga rreth 200 pasagjerët në trenin 42-vjeçar nuk u lëndua gjatë evakuimit.
Treni i dëmtuar u dërgua në një depo në Wellington për inspektim të mëtejshëm. U njoftuan edhe shërbimet federale të transportit dhe nisi një hetim. /Telegrafi/