Telegrafi

Digjet shtëpia e familjes Koroglu në Mitrovicë – pjesë e trashëgimisë kulturore

Të martën, shtëpia e familjes Koroglu në Mitrovicë, është përfshirë nga flakët.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Sonte rreth orës 20:10 është raportuar se në  rrugën “Bedri Gjina” në Mitrovicë, një shtëpi që është pjesë e trashëgimisë  kulturore është përfshirë nga zjarri. Nuk raportohet për persona të lënduar. Njësitet kompetente policore kanë nisur hetimet për shkaqet e zjarrit”, ka thënë Zahiti.

Ndërsa, zjarrëfikësit kanë intervenuar për ta lokalizuar zjarrin.

Kjo shtëpi para disa muajve u rrënua, ndërsa sot pasi filluan punimet për fillimin e konzervimit kjo shtëpi u djeg.

Shtëpia e “Familjes Koroglu” konsiderohej si një prej monumenteve më të vjetra të Trashëgimisë Kulturorë dhe historike në Mitrovicë.

Po ashtu ishte në listën e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Në gusht të këtij viti, rrjeti i Organizatave Kulturore të Mitrovicës (RrOK) kishte reaguar lidhur me rrënimin e një pjese të monumentit.

“Shtëpia e familjes Koroglu e ndërtuar në shekullin XIX me stil otoman, është një dëshmi e qartë e pasurisë historike dhe kulturore të qytetit të Mitrovicës dhe si e tillë ka hyrë në mbrojtje që nga viti 1978, si dhe vazhdon të jetë në listën e objekteve nën mbrojte nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës (kategoria: trashëgimi arkitekturore, me numër unik 3 në databazë).

“Rrënimi i këtij objekti të çmuar për trashëgiminë tonë është një humbje e thellë që prek jo vetëm të tashmen, por gjithashtu dhe gjeneratat e ardhshme” – thuhej në reagimin e RrOK-ut./Telegrafi/