Një shtëpi është përfshirë nga flakët mbrëmë rreth orës 21:12 në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Gjakovë, bënë të ditur policia.
“Policia menjëherë së bashku me zjarrfikësit dhe ekipin mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes. Zjarri kishte marrë përmasa të mëdha dhe rrezikonte edhe shtëpitë tjera”, njofton policia.
Nga zjarri janë lënduar katër qytetarë respektivisht familjarë, si dhe dy zyrtarë zjarrfikës nga Gjakova.
“Policia në vendin e ngjarjes ua ka dhënë ndihmën personave të lënduar, njëkohësisht ka bërë evakuimin e banorëve të shtëpive përreth. Njëri nga personat e lënduar për shkak të shkallës së lartë të djegies është transferuar në QKUK, ndërsa të lënduarit tjerë kanë pësuar lëndime sipërfaqësore dhe janë trajtuar në emergjencën e spitalit rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë.
Njëri nga zjarrfikësit gjatë intervenimit për shuarjen e zjarrit është alivanosur nga tymi në ballkonin e katit të dytë të shtëpisë por i njëjti është tërhequr me ndihmën e zyrtarëve policorë.
Në këtë rast Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë falënderon zjarrfikësit e Gjakovës dhe ata nga Deçani, ekipin mjekësor si dhe qytetarët që kontribuan në lokalizimin e zjarrit dhe ndihmën ndaj të lënduarve”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.
Dyshohet se deri tek zjarri erdhi nga shpërthimi i një bombole të gazit, ku rasti po hetohet nga Policia e stacionit policor në Gjakovë./Telegrafi/