Zjarri ka djegur tërësisht sot një shtëpi në fshatin Brestovik të Pejës, me ç’rast edhe një person ka pësuar lëndime.
Zjarrfikësit dhe policia kanë arritur shpejt në vendngjarje, duke ndërhyrë në shuarjen e zjarrit dhe shmangien e përhapjen e zjarrit në shtëpitë përreth.
Sipas zjarrfikësit Blerim Husaj për Telegrafin ka thënë se zjarri në qendrën e tyre është lajmëruar si fushor, por pas ardhjes për intervenim kanë parë që zjarri ka përfshirë edhe shtëpitë.
“Kur e kemi marrë lajmin, automatikisht kemi ardhur, ekipi kemi ardhur në intervenim, na kanë lajmëruar si zjarr fushor, por kur kemi ardhur, kemi parë që është kapur edhe shtëpia”, ka thënë Husaj për Telegrafin.
Ai gjithashtu sqaroi një person është lënduar.
“Nga asfiksimi një person është lënduar”, tha Husaj.
Për më tepër, Husaj theksoi se një nga problemet kryesore ishte prania e shumë mbeturinave në zonë, të cilat kontribuuan në përhapjen e zjarrit.
“Problemi më i madh ka qenë se ka pasur shumë mbeturina dhe prej tyre është kapur edhe shtëpia. Për fat të mirë njërën shtëpi e kemi shpëtuar. Ndërsa tjetra është bërë shkrumb”, përfundoi ai.
Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve dhe policisë ndihmoi në parandalimin e dëmeve të mëdha në zonë, megjithëse një shtëpi u shkatërrua plotësisht. /Telegrafi/