Site icon Telegrafi

Digjet dyqani i bombolave të gazit, plagoset pronari

Foto: Ilustrim

Një dyqan që tregtonte bombola gazi është shkrumbuar nga flakët mëngjesin e kësaj të diele, rreth orës 8:30 në qytetin e Shkodrës, në sheshin “Isa Boletini” pranë rrugës kryesore.

Sipas dëshmitarëve, në fillim është dëgjuar një shpërthim i fortë e më pas flakët kanë nisur të përhapen me shpejtësi, duke krijuar panik te banorët e zonës, pasi brenda dyqanit ndodheshin disa bombola gazi, disa prej të cilave shpërthenin.

Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, në dyqan ndodhej vetëm pronari, i cili ka dalë nga dyqani pas shpërthimit, e më pas është dërguar në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm, pasi ka marrë disa djegie që nuk paraqesin rrezik për jetën.

Forca të shumta policie kanë izoluar menjëherë të gjithë zonën, në një perimetër sigurie prej 200 metrash, ndërsa dy zjarrfikëse kanë bërë të mundur izolimin e flakëve brenda pak minutash.

Më pas zjarrfikësit kanë hyrë për të nxjerrë jashtë të gjitha bombolat e mbetura. Grupi hetimor është duke punuar në vendin e ngjarjes për të përcaktuar edhe shkaqet e kësaj ngjarjeje.

Exit mobile version