Telegrafi

Digjet deponia e mbeturinave në veri të Mitrovicës, ankohen banorët

Deponia e mbeturinave në lagjen e “Doktorëve”, në veri të Mitrovicës ka një kohë të gjatë që nuk pastrohet, kjo pasi lagja e banuar me shqiptarë është nën administrimin e komunës veriore të saj.

Komuna e Mitrovicës, ka ndërhyrë disa herë duke i hequr këto mbeturina, mirëpo kjo gjë ka ndodhur shumë rrallë, për shkak të kompetencave të administrimit të kësaj lagje.

Pas raportimit të këtij emisioni, menjëherë të nesërmen dikush i ka vënë flakën këtyre mbeturinave, duke krijuar kështu gjendje të padurueshme banimi për shkak të erës dhe tymit.

Njëri nga banori e lagjes së “Doktorëve”, Rexhep Miftari në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka thënë se kjo deponi e mbeturinave është duke i sjell shumë shqetësime banorëve, transmeton Telegrafi.

Ai tha se edhe djegia e mbeturinave ka ndikuar shumë në jetën e këtyre banorëve për shkak të erës dhe tymit.

“Pasi keni raportuar ju, menjëherë të nesërmen dikush e ka djeg këtë deponi. Faktikisht ne që jemi me shtëpi afër, s’kemi mundur që të qëndrojmë nëpër shtëpi tonë. Shpresojmë që komuna do t’i largoj këto mbeturina nga këtu, që të mos kemi probleme më”, ka thënë Miftari.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ditë më parë në këtë emision pati thënë se komuna disa herë e ka pastruar këtë deponi, dhe premtoi që brenda pak ditëve do ta pastrojnë sërish. /Telegrafi/