Telegrafi

Digat në lumin e Porojit lihen në harresë

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka marrë pjesë në inaugurimin e rrugës së asfaltuar në fshatin Poroj. Sipas Kasamit, tashmë ky fshat ka marrë pamje të re pasi është punuar në rrjetin e ujësjellësit dhe asfaltimit me gjatësi prej 900 metra dhe gjëresi prej 7 metra si dhe me infrastrukturë cilësore, shkruan gazeta KOHA. Gjatë qëndrimit në Poroj, kreu i Komunës së Tetovës ka njoftuar se krahas rregullimit të rrugës, është bërë investime edhe në parkun e shkollës fillore, në sinjalizimin rrugor e kështu me rradhë. Kasami në këtë fshat është takuar edhe me mërgimtarët, të cilët janë kthyer në vendlindje në këtë periudhë. Ai shfaqi shpresë se do të punohet edhe në projekte tjera në këtë fshat dhe jo vetëm, që në të ardhmen vendbanimet rurale të kenë infrastrukturë më të mirë rrugore, ujë të pijshëm cilësor dhe kushte më të mira për jetesë.

Ndërkaq, lumi i fshatit Poroj në pjesën e poshtme të tij rezulton i pastër, por jo edhe në pjesën e tij brenda fshatit, ku disa banorë vazhdojnë të hedhin mbeturina. Pa u rregulluar si duhet që nga vërshimet, ka mbetur edhe ura e vogël e fshatit, e cila shpesh bllokohet dhe uji del nga shtrati.

Para disa viteve, vërshimet shkaktuan shumë dëme në disa fshatra në Tetovë, ndërkohë që përveç dëmeve materiale, pati edhe viktima në njerëz. Autoritetet asokohe premtuan mbrojtjen e këtyre fshatrave nga vërshimet, me theks të veçantë fshatin Poroj, i cili pësoi dëme të mëdha. Por, që nga viti 2015 e këndej, çdo gjë ka mbetur vetëm premtim, ndërsa në terren nuk është bërë pothuajse asgjë në drejtim të ndërtimit të digave për mbrojtje të këtij fshati. Banorët shprehen të revoltuar nga kjo lënie pas dore, ndërkohë që me trishtim kalojnë çdo natë kur ka të reshura të shiut.

“Ne nuk kemi siguri asnjëherë shkaku i lumit. Gjithnjë rrimë me frikë. Premtime plot, kanë premtuar gjitha qeveritë e s’ka asgjë. Vazhdon, ja si sot – ditë me shi, por kur ka breshër ne e dimë se çka na pret, sidomos mëhalla jonë. Mbeturina plot në shtrat, edhe pse i marrin rregullisht sërish njerëzit hedhin në lumë. Komuna dhe Qeveria duhet të marrin masa sepse jemi në rrezik, e kemi pa gjithë çfarë hovi ka lumi. Kur vijnë vërshimet – tmerr bëhet, sidomos lagja jonë këtu”, tha një banor.

Kreu i Komunës Bilall Kasami, ka premtuar se po punohet në këtë drejtim, madje bashkë me UNDP-në, por pa precizuar saktë se kur do bëhen këto diga mbrojtëse.

“Digat janë një nga masat, ndryshe, bëhet fjalë edhe për mundësinë e ndaljes së vërshimeve që në burim në bjeshkët e Sharrit në Gjermë, rregullimi i shtratit por edhe sinjalistika e paralajmërimit për këto raste. Është ngritur në kuadër të komunave të Pollogut edhe një njësi pune, e cila financohet nga Komuna e Tetovës e që do merret me koordinimin e gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me investimet për mbrojtjen e banorëve që jetojnë rrëzë Sharrit, nga përmbytjet që mund të paraqiten kur ka reshje shiu”, deklaroi Kasami.Pas vërshimeve, kryeministra e ministra e kanë vizituar këtë fshat duke dhënë premtime publike për rregullimin e shtratit dhe të digave, por gjendja faktike në këtë fshat është krejt ndryshe. (koha.mk)