Ende pa u certifikuar zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit, partitë politike kosovare kanë filluar një fushatë intensive si për bërjen e koalicionit ashtu dhe për rreshtime brenda skenës politike kosovare. Disa ende pa filluar biseda konkrete për bërjen e koalicionit qeveritar, kanë lëshuar balonat tyre provues, duke provuar të rrisin “çmimin” e hyrjes në qeverinë e re, ose për ta mbuluar arsyet e humbjes. Në këtë mes duket se Aleanca Kosova e Re, e cila nga këto zgjedhje ka dalë më keq sesa që e ka pritur, në njërën anë, vazhdon të insistojë se është larg prej arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës, e në anën tjetër ka ashpërsuar rivalitetin e brendapartika. Pavarësisht nga kuotat e ulëta të përqindjes që ka fituar AKR në zgjedhjet e fundit, kjo parti, përmes nënkryetares Mimoza Kusari, ka insistuar se pa plotësimin e kritereve të saj, AKR-ja nuk hyjë në qeveri me partinë fituese, PDK-në.
“Unë personalisht nuk do të jem në një qeveri, ku do të ishte edhe zoti Limaj. Ne ka kohë që kemi kërkuar dorëheqjen e tij për shkak të hetimeve,” ka thënë zonja Kusari – Lila, deklaratë e cila mund ta turbullojë situatën ashtu të turbullt në këtë parti.
Natyrisht, Kusari ka folur si të ishte vetë partia dhe ende nuk dihet nëse qëndrimi i saj është në përputhje me linjat e partisë apo ajo nxituar të flas e para duke e ditur se “bashkëjetesa” në këtë parti po vështirësohet. Por, nëse AKR nuk merr distancë ndaj një deklarate të tillë provokuese, atëherë nuk dihet cili do të jetë raporti midis PDK-së dhe AKR-së. Mbetet të shihet, çfarë pozicioni do të marrë Pacolli, neutral nuk mund të qëndroj, ai ose do të sakrifikojë znj. Kusari ose koalicionin me PDK-në. Por, edhe zëvendësja e tij nuk ka folur krejt rastësisht, i ka bërë llogaritë saktë: ose të forcojë kontrollin në parti dhe me këtë AKR-në ta mbajë jashtë koalicionet ose të largohet krejt, pasi e ka parë që rezultati aktual në AKR nuk i siguron asaj ndonjë pozicion kredibil.
Kjo zonjë gjakovare, e cila prej disa muajsh ka aterua në AKR sipas të gjitha gjasave nuk do ta largohet pa e bërë “drithin dhe miell,” pasi ajo tanimë nuk ka çfarë të ofrojë si ekspertë e ekonomisë, edhe pse nuk dihet çfarë janë referencat e saj konkrete nga kjo fushë. Në kohën kur garonte për kryetare të Gjakovës mediat vendore e skiconin kështu: “Mimoza Kusari është eksperte e njohur e ekonomisë, ka punuar si zëdhënëse e Qeverisë së Bajram Rexhepit!” Ndoshta ishte lapsus, por çfarë kuptimi ka ta cilësosh dikë ekspert të një fushe dhe të thuash pastaj ka punuar zëdhënëse, kur dihet se një pozicion i tillë zakonisht është tipik për ekspertët e medieve. Duke se Kusari hyri vrullshëm në politikë dhe vrullshëm do të largohet dhe mund të thuhet se tatëpjeta e saj filloi kur këtë vrull ia ndali kryetari aktual i Gjakovës, mjeku Pal Lekaj, një profesionist dhe një njeri me kredibilietet.
Rishfaqja e Mimozës tani kur AKR ka pësuar humbje në zgjedhjet e fundit, me gjasë provon të jetë një strategji dalëse nga presioni i strukturave të brendshme partiake ose një fushatë e vonuar paszgjedhore dhe një pretendim jo real i saj, për t’u dukur politikane e fuqishme në një parti të pafuqishme. Por ata që e njohin nga puna e saj në Zyrën e kryeministrit, ku falë zemërgjerësisë së shefit të saj, Bajram Rexhepi, ajo ushtronte diktat mbi stafin e Zyrës së Kryeministrit, ashti siç bëri edhe në Odën Ekonomike Amerikane, znj. Kusari ka një ambicie të papërmbajtur, e cila duket se edhe tani po rishfaqet edhe në AKR, gjë e cila është reflektuar me shumë largime të figurave më prominente të kësaj partie, si deputetet, Emini e Hajzeri, e të tjerë.
Mendoj se reagimi i Ministrit të Transportit, z. Fatmir Limaj, ishte i duhur, meqë Kusari nuk është as zëdhënëse e EULEX-it dhe as e gjyqësorit kosovar që u dashka të na paralajmëroj se kë bënë apo nuk bën PDK ta nominoj për ministër në qeverinë e ardhshme. “Mimoza është politikane e tipit ‘Gërvish e Fito’, e cila gërvishti shumë tek Pacolli dhe fitoi shumë, por nuk mund të fitoj çdo herë duke gërvishtur”, i është kundërpërgjigjur Limaj.
Qeveria e ardhshme
Deklarata e lartpërmendur e Mimozës dhe kundërpërgjigjja që ka ardhur nga ministri Fatmir Limaj duket se janë një tregues se nuk do të jetë i lehtë koliacioni ndërmjet PDK-së dhe AKR-së, nëse në ndërkohë nuk qartësohen gjërat në AKR. Polemikat midis Kusarit dhe Limajt nuk do të mbeten pa ndikim. “Mimoza Kusari Lila nuk mund t’i vë kushte askujt jashtë partisë së saj. Ajo edhe në AKR u fut me kushte, duke thënë se do të hyj nëse largohet Makolli apo Gashi. Asaj mund të ia plotësoj dëshirat Pacolli, t’i jap 10 mijë euro rrogë apo edhe të ia ofroj 100 mijë apo 200 mijë euro për të hyrë në parti”, ka pohuar ministri Limaj, duke shtuar se “Ferid Agani i PD-së e shpëtoi këtë parti sepse në të kundërtën do ta pësonte fatin e LDD-së”.
Dhe pikërisht këto polemika kanë nxjerrë në sipërfaqe preferencat e Limajt mbase edhe të PDK për partnerin e ardhshëm të koalicionit qeveritar. Ai ka shprehur haptazi dhe paekuivoke se dëshirën për të bërë koalicionin e ardhshëm qeveritar me partinë e Ramush Haradinajt, AAK, me të cilën këto dy parti realisht kanë shumë gjëra të përbashkëta. “AAK duhet të jetë pjesë e koalicionit, pse jo. Të ketë vend meritor në qeverisjen e ardhshme. Nuk e di a ka AAK disponim për këtë. Të shohim pas 9 janarit. Edhe dikur në PDK nuk kishte disponim për koalicionin me LDK-në, por u bë. Ka zëra në AAK, sikurse në PDK që të bëhet koalicioni. Unë personalisht jam i interesuar. Dhe kemi gjëra të përbashkëta”, ka thënë Limaj.
Nëse prapa këtij qëndrimit të Limajt qëndron edhe lidershipi dhe strukturat më të lartë të PDK-së, të cilat deri më tani nuk e kanë përjashtuar koalicionin me asnjë parti, atëherë nuk është befasi nëse pas certifikimit të zgjedhjeve do të kemi një koalicion ndërmjet PDK-së dhe AAK-së ndoshta edhe AKR, që mbase edhe do të ishte formula më e mirë për një qeveri të qëndrueshme.
Akuza të çmendura të Martyt
Fill pas çlirimit të Kosovës, në qershor të vitit 1999 një valë e pashembullt u ngrit anembanë për të revizionuar të vërtetën e asaj që ndodhi, për vrasjen e 12 mijë civilëve dhe dëbimin e një milion shqiptarëve. Armata e nostalgjikëve proserbë, ajo që nën trysninë e opinionit ndërkombëtar u hesht për ca kohë, gradualisht e mori veten prapë dhe të sulmoj. E tillë është goditja e zviceranit Dick Marty, raportuesi i Këshillit të Evropës, i cili me pretendimin e tij ndaj kryeministrit të Kosovës dhe UÇK-së për lidhje me trafikun e drogës, armëve dhe organeve, ka ndezur debatet pro dhe kundra, jo vetëm në Kosovë, por anekënd botës. Sidomos diskreditimi i liderëve shqiptarë vazhdimisht mirëpritur në Serbi dhe në Rusi, ku me dëshirë flitet për “padrejtësitë” dhe “vuajtjet” e popullit serb.
“Diskreditimi i liderëve të ndryshëm kosovarë, të cilët, pothuajse të gjithë, në një ose mënyrë tjetër, morën pjesë në betejën rezistuese kundër Millosheviqit, që përfundoi me intervenimin Bler-Klinton të NATO-s, në verë të vitit 1999, ishte prioritet i lartë për serbët dhe rusët,” konstaton Denis MacShane, anëtar i Parlamentit në Britani dhe ish-ministër për Evropën. Ndërsa ambasadori amerikan, Frank Wisner, ish-ndërmjetësues në bisedimet ndërmjet Beogradit e Prishtinës, i ka quajtur të çmendura akuzat e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, për kryeministrin Hashim Thaçi dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Edhe shumë personalitete të tjera që merren me Kosovën akuzat e këtij zvicerani i kanë vlerësuar të dëmshme për imazhin e shtetit të Kosovës.
Ndërkohë, vetë Marty shtoi se nuk e priste një jehonë të tillë të raportit të tij, por njëkohësisht në një intervistë dhënë gazetës zvicerane “NZZ am Sonntag” ai është shprehur se nuk mund të ndërtohet e ardhmja e Kosovës pa u ballafaquar me të kaluarën. “Me këtë raport unë veproj jo kundër Kosovës, por për Kosovën dhe mbi të gjitha, për ata kosovarë, të cilët, më në fund, duan të jetojnë në një shtet juridik.” Por z. Marty i ka ngatërruar pak gjërat, sepse se në asnjë rrethanë nuk mund të ketë ballafaqim me të kaluarën, kur amnistohet agresori, në këtë rast Serbia, dhe pranimi i fajësisë kërkohet nga viktima, shqiptarët e Kosovës. Bile, Dick Marty provon të na bind se akuzuat e tij janë për të mirën e Kosovës, si një lloj ndihme që edhe ne të themi, “pasi po kështu thotë Marty, le t’ i kërkojmë falje Serbisë për gjenocidin e bërë ndaj shqiptarëve.” Me apo pa porosi, ky Marty po e luan rolin e zëdhënësit të politikës agresive të Beogradit, e cila, për fat të keq, ende nuk ka dhënë asnjë shenjë të ballafaqimit kritik me të kaluarën kriminale dhe as ndonjë provë të emancipimit të shoqërisë serbe në raport me shqiptarët dhe Kosovën.
Është jashtëzakonisht e çuditshme se si ky raportues i KE-së, edhe 11 vjet pas përfundimit të luftës, asnjëherë nuk e ka zënë në gojë fatin e mijëra shqiptarëve të rrëmbyer dhe të burgosur dhe të zhdukur nga strukturat shtetërore të regjimit të Beogradit. Ndoshta ai, si dikur deputeti majtist gjerman Gregor Gysi, hiqet sikur nuk e di çfarë ka bërë regjimi i Beogradit, hiqet se nuk është në dijeni për përmasat e represionit dhe të likuidimit dhe dëbimin sistematik të shqiptarëve, si dhe për varrezat kolektive. Qëndrimet e këtilla janë shpërfaqur po në këtë mënyrë agresive edhe në kohën e luftës nga i ngarkuari i atëhershëm i OKB-së për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi, Jiri Dienstbier, i cili opinionit publik shqiptar i kujtohet edhe për deklaratat e tij skandaloze kundër UÇK-së, në kohën kur shqiptarët po përballeshin me regjimit serb dhe fushatën e tij më shfarosëse në historinë e shekullit 20.
Marty mund të justifikohet si t’ia dojë qejfi, ama stili i tij propagandistik të krijon përshtypjen se akuzat e tij nuk janë vetëm të krisura, por edhe një përpjekje për të bërë simetri mes gjithçkaje që ka ndodhur në Kosovë para, gjatë dhe pas luftës. Një tendencë e tillë është e njohur prej kohësh në Serbi dhe të cilën jo rrallë e kanë përvetësuar protagonistë dhe qarqe të caktuara politike në Evropë. Pra, nimsa e Martyt duket skajshmërisht paragjykuese dhe tendencioze, sepse ballafaqimi me të kaluarën nuk bëhet në këtë formë dhe në këtë stil propagandistik dhe duke marrë qëndrim të anshëm. Synimet që faji kolektiv serb për krimet në Kosovës të minimizohet sa më shumë dhe njëkohësisht dhe bëhej një baraspeshë me vrasjet dhe krimet individuale të shqiptarëve, është një përpjekje e njohur e Beogradit.
Edhe po të ishin të vërteta pohimet e Dick Martyt, simetria e krimit është e papranueshme dhe e pamundshme si për nga përmasat ashtu edhe për nga motivet. Fundja, janë luftërat agresive serbe ato që, jo vetëm se shkaktuan tragjedi të shumta në Ballkan në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20, por ato u bënë edhe barrierë e zhvillimit normale të Ballkanit. Prandaj, Marty dhe bashkëmendimtarët e tij, nëse vërtetë janë të interesuar për zgjidhjen e problemeve dhe ballafaqimin me të kaluarën, atëherë do të duhej të ushtrojnë një presion më të madh ndaj Beogradit, i cili, pos që nuk ka sqaruar çështjen e personave të pagjetur, cilit i kishte marrë peng në kohën e luftës, vazhdon të ndjek politike agresive ndaj Kosovës, duke mos hequr dorë nga politika e vjetër.
Pranimi i fajësisë
Predispozitë vendimtare për ndërtimin e raporteve të qëndrueshme ndëretnike në hapësirën ballkanike, mbetet çështja e pranimit të fajësisë dhe denazifikimi i shoqërisë serbe, e cila për më tepër dekada me radhë u indoktrinua me ideologjinë shoviniste. “Serbia fajtori kryesor për luftën dhe zhvillimet e këqija në Ballkanin Perëndimor,” deklaronte kohë më parë ish-përfaqësuesi i lartë i Bosnjës, gjermani Christian Schwarz-Schilling. Prandaj, pikërisht raporti me krimin që ka ndodhur në të kaluarën ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve është testi themelor për qytetërimin serb dhe shkallën e tij të emancipimit, e cila është shtytje dhe parakusht për bashkëpunim me popujt tjerë të Ballkanit. Në këtë kontekst, një rol të veçantë do të mund të luante historia, e cila duhet të deideologjizohet dhe rishikohet me sy kritik, si dhe të zhvishet nga të “vërtetat historike” e secilit popull, të mos përdoret dhe instrumentalizohet në shërbim të politikave dhe planimetrive nacionaliste.
Natyrisht, emancipimi dhe ballafaqimi kritik me të kaluarën është një proces i gjatë, i vështirë dhe i dhembshëm për të gjitha kombet. Kjo është dëshmuar edhe nga përvoja e shtetit gjerman pas Luftës së Dytë Botërore, ngase për defashizimin e shoqërisë gjermane ishin të nevojshme shumë dekada dhe shumë angazhime të emrave të shquar të kulturës gjermane, të cilët bën gjithçka që të tregojnë para botës tmerret dhe krimet e nacizmit. Në Serbi ende nuk duket në horizont në gjë e tillë, madje serbët edhe më tej e fajësojnë Milosheviqin, kjo pse bëri luftën në Kosovë, por pse e humbi atë.