Është gjë e qartë se pamja fizike e Anthony Joshuas nuk është e krijuar krejtësisht në palestër apo në ring boksi, por një pjesë e saj është fituar në kuzhinë.
Vet Anthony Joshua ka rrëfyer se si e ushqen trupin e tij, duke filluar nga shujta e mëngjesit e deri në ditët ku konsumon gjëra të pashëndetshme, transmeton Telegrafi.
Shujta e mëngjesit
Porsa të zgjohet, Joshua e fillon ditën me një gotë ujë.
Sipas një studimi të publikuar në revistën ‘Sports Medicine’, thuhet se mungesa e ujit në trup rezulton në humbje të forcës (për 2%), në zvogëlim të fuqisë (për 3%) dhe në humbje të qëndrueshmërisë së intensitetit të lartë (deri në 10%). Pra, ka krejtësisht kuptim gota me ujë që e konsumon Joshua.
Pasi ta ketë konsumuar një gotë ujë, Joshua konsumon pemë, të cilat janë të mbushura me vitamina, minerale, fibra, antioksidues dhe shumë nutrientë tjerë.
Pas pemëve, Joshua konsumon tërshërë, që gjithashtu është e mbushur me vitamina, minerale dhe fibra.
Dreka e Anthony Joshuas
Një person i madhësisë së Anthony Joshuas nuk mbushet energji vetëm me ujë, pemë e tërshërë, prandaj dreka është koha kur ai e merr energjinë e vërtetë.
“Gjatë drekës unë ha oriz, pak salmon dhe shumë perime”. Pastaj me siguri se ha prapë”, ka rrëfyer Joshua për MensHealth.
Zgjedhja e salmonit nga ana e Joshuas është një veprim shumë i mençur – peshku e furnizon atë me proteina, por ka shumë pak yndyrë.
Veç kësaj, një studim i vitit 2007 në ‘Science Direct’ e kishte ndërlidhur konsumimin e salmonit me një zvogëlim të shtypjes së gjakut, të kolesterolit të keq (LDL-së), dhe e kishte ndërlidhur edhe me një reduktim prej 25% në rrezikun e sëmundjeve koronare të zemrës.
Në anën tjetër, njësoj sikurse pemët, edhe perimet janë të mbushura me vitamina, minerale dhe nutrientë tjerë që e mbajnë trupin të shëndetshëm dhe e bëjnë të funksionojç siç duhet, prandaj Joshua konsumon shumë prej tyre.
Darka e Anthony Joshuas
Edhe darka është një prej shujtave të preferuara të Anthony Joshuas – shujtë të cilën ia përgatit nëna e tij afrikane.
Në një intervistë për platformën nigeriane ‘Oak TV’, Joshua ia kishte atribuuar suksesin e tij konsumimit të ushqimeve nigeriane si yam-, eba dhe egusi.
Dita ku konsumon ushqime të pashëndetshme
Çdo njeri e meriton një ditë pushim nga ushqimi i shëndetshëm, dhe Joshua është në mesin e tyre.
Gjatë ditëve ku ka të drejtë të hajë më ndryshe, ai han çokollata të cilat nuk kanë gluten, nuk kanë sheqer dhe përmbajnë mjaltë natyrale.
“Në këtë mënyrë edhe je duke konsumuar diçka të ëmbël, por që njëkohësisht nuk është edhe aq e pashëndetshme”, ka rrëfyer Joshua. /Telegrafi/