Edhe këtë vit pritet të mbahet vrapi tradicional “Mini Maratona 5km” dhe si datë e përzgjedhur është 29 shtatori, nën organizimin e Afërdita Paçaradës dhe Diellza Kolgecit.
Atë ditë planifikohet të mbahen aktivitete të ndryshme dhe nisja e vrapimit bëhet nga sheshi ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë deri te rrethi i madh dhe kthimi në pikën fillestare.
Sipas organizatorëve, kjo maratonë do të zhvillohej në muajin maj por për shkak të kushteve atmosferike është shtyrë për në shtator. “Maratona tashmë është tradicionale dhe ky është viti i pestë që po mbahet. Ne e organizuam në maj por për shkak të kushteve është shtyrë për në shtator”, ka thënë njëra nga organizatoret, Diellza Kolgeci.
Kolgeci më tej shton se para maratonës fillojnë me një aheng, teksa do argëtohen me prezencën e disa artistëve të njohur shqiptarë.
“Zakonisht ne fillojmë me një aheng para maratonës ku të gjithë argëtohemi, do të këndojë Dafina Zeqiri, Lumi B, Dj Geek si dhe do ketë Kangoo Dance”, thotë më tej ajo.
Ndërkohë, pjesëmarrësit në “Vrapo edhe ti”, mund të jenë moshave të ndryshme, vrapues për herë të parë, atletë profesionistë, studentë e po ashtu edhe fytyrat e famshme publike.
“Pjesëmarrës janë edhe fytyrat publike nga bota e artit politikës e mediave, por edhe të gjithë ata qytetarë që dëshirojnë të kontribuojnë sado pak”.
Qëllimi i gjithë kësaj është që mjetet e mbledhura nga shitja e numrave t’u dedikohen fëmijëve me autizëm, ashtu sikurse në vitin e parë ku u dërguan tek Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë.
Gjithashtu, fituesit zyrtarë do të ndahen në tri kategori dhe do të fitojnë shpërblime modeste, kategoria e femrave, e meshkujve dhe e fëmijëve. /Telegrafi/