Telegrafi

Diddy braktiset nga avokatët

Reperi me famë botërore, P.Diddy, emri i vërtetë i të cilit është Sean Diddy Combs, është braktisur nga firma ligjore që e përfaqësonte, “Grubman, Shire, Meiselas & Sacks”.

Firma vendosi të ndërpresë marrëdhëniet me P.Diddyn për shkak të numrit të madh dhe natyrës së padive të ngritura kundër tij, gjithsej 8, të cilat përfshijnë akuza për sulm seksual, përdhunim, drogim, trafikim me qenie njerëzore, dhe akuza të tjera serioze, raporton “FemaleFirst”.

Kohë më parë, disa raportime sugjeruan se këngëtarja 38-vjeçare, Lady Gaga, që është gjithashtu kliente e kësaj firme, kishte ushtruar presion mbi avokatët që të braktisin P.Diddyn. Firma e ka hedhur poshtë këtë pretendim.

“Vendimi ynë për të ndarë rrugët me z.Combs, nuk ka të bëjë me asnjë artist që përfaqësojmë. Ky vendim është marrë nga partnerët e firmës disa muaj më parë, sepse menduam se ishte gjëja e duhur për të bërë,” tha një zëdhënës i firmës për “Page Six”.

Disa ditë më parë, “NewsNation” raportoi se Gaga kishte kërcënuar se do të largohej nga firma nëse avokatët nuk largonin P.Diddyn, por një burim anonim i tha “PageSix” se kjo bisedë nuk ka ndodhur kurrë.

Diddy/Screenshot

Shumë kompani që kishin marrëveshje me reperin kanë ndërprerë bashkëpunimin me të për shkak të padive.

“New York Post” njoftoi se kryebashkiaku i New York-ut, Eric Adams, i ka tërhequr çelësin e qytetit që ia kishte dhënë P.Diddyt, tri javë pas publikimit të pamjeve të kamerave të sigurisë nga CNN, ku shihej reperi duke rrahur ish-partneren e tij, këngëtaren Cassie, në vitin 2016.

Së fundmi, P.Diddy ka fshirë gjithçka nga llogaria e tij personale në Instagram, ku ka 9.9 milionë ndjekës. /Telegrafi/

Diddy/Screenshot
Diddy/Screenshot