Sean Combs, i njohur gjerësisht si Diddy, është përmendur 47 herë në një transkript të sapo publikuar nga policia, duke e akuzuar atë se ka ofruar ‘miliona’ për vrasjen e reperit Tupac Shakur dhe shefit të Death Row Records, Suge Knight.
Akuzat rrjedhin nga një intervistë e regjistruar në fshehtësi e vitit 2009 me Duane “Keefe D” Davis, që aktualisht është në pritje të gjyqit për vrasjen e Tupac në 1996.
Prokurorët së fundmi depozituan një dokument prej 180 faqesh që përfshin një transkript të plotë të deklaratave të regjistruara të Keefe, duke hedhur dritë mbi përfshirjen e pretenduar të Diddy në krim.
Sipas transkriptit, Keefe e përshkroi veten si “bosi” që mbikëqyrte vrasjen. Kur Detektivi i Departamentit të Policisë së Las Vegas e pyeti Keefe nëse Diddy luajti një rol, Keefe thuhet se u përgjigj: “Po”.
Keefe gjithashtu deklaroi se Diddy, i njohur atëherë si Puffy, i tha atij se çmimi për kokat e Tupac dhe Suge ishte “në miliona”, shkruan klix.ba.
Deklarata gjyqësore nxjerr në pah këto pretendime si pjesë e një hetimi në vazhdim për një rast vrasjeje të profilit të lartë.
Pavarësisht akuzave, Diddy ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në vrasjen e Tupac, duke i quajtur akuza të tilla “absolutisht qesharake” dhe “fiksion i pastër”. /Telegrafi/