Site icon Telegrafi

Diçka për Titon e Stalinin dhe UDB-në e shqiptarët

Ka kohë që në vendet e dala nga ish Jugosllavia është hapur debati publik se kush ishte Josip Brozi i vërtet. Tashmë janë publikuar shumë libra dhe programe dokumentare, disa nga të cilat janë të paanshme dhe të bazuara në fakte historike, e të cilat personalitetin e tij e prekin nga shumë aspekte. Sigurisht se vlerësimet e autorëve varen nga ajo se kush e vlerëson (si bie fjala ish partizanët dhe komunistët, pra titistët, zakonisht e vlerësojnë pozitivisht) dhe cilit komb i takojnë.

Në Kosovë ky debat ende është “gjysmë publik”. Pos disa tentimeve të disa ish punëtorëve të UDB-së të paraqiten si nacionalistë, kemi edhe aty këto disa ish titistë të cilët varësisht nga ajo se cilës parti tani ju kanë bashkangjitur, edhe japin komente. Më groteskët janë disa pinjollë të titistëve të cilët janë futur nëpër partitë e “krahut të luftës” dhe flasin fjalë miradije për Titon dhe bashkëpunëtorët e tij shqiptarë.

Në portalet e ndryshme apo rrjetet sociale, natyrisht ka me shumë komente dhe debate që zhvillohen. Bie fjala, para disa kohe, në njërën nga portalet kosovare lexova një koment anonim (e që u bë sebep për këtë shkrim) ku komentuesi shpjegonte “kohën e Titos”, duke përdorur argumente që zakonisht titistët i përdorin kur e shpjegojnë karakterin e Josip Brozit, në stilin: gjatë kohës së Titos kombi shqiptar i pati të gjitha të drejtat; kishim flamurin tone kombëtar; ishim njësi federative; vizitonim krejt botën; Titon e respektoi tërë bota; ishte një burrështetas i nivelit botëror i cili e pasuroi popullin që e udhëhiqte, nuk e vodhi si këta të tanishmit etj.

Ama shoku Tito edhe nuk vuante nga dashuria për shqiptarët! Ishe një makiavelist “par excellence”, i cili për ta arritur qëllimin e tij (ashtu sikurse diktatorët tjerë) fare nuk brengosej se mbi sa “kufoma duhet shkelur”.

Në realitet, ai, për shkak të pedigrës së tij, nuk kishte ndjenja racizmi ndaj të tjerëve. E them këtë duke u nisur nga fakti se njeriu nuk lind racist por krijohet, varësisht nga rrethanat personale familjare dhe atyre shoqërore politike në të cilat rritet dhe zhvillohet. Apo thënë ndryshe, racizmi është produkt kulturor që varet nga modeli kulturor në të cilat individi krijohet si karakter.

Këtë mendim e kanë shumë sociologë të njohur (për mos t’i numëruar) të cilët merren me këtë çështje: d.m.th., varësisht nga ajo se fëmijët në çfarë tradite dhe botëkuptime rriten – çfarë ninulle ju këndojnë nënat e tyre, çfarë përralla ju tregojnë gjyshërit, në çfarë sistemi shkollorë edukohen dhe çfarë lexojnë dhe dëgjojnë në media. Pra thënë shkurt, në çfarë sistemi të vlerave shoqërore krijohen ata.

Andaj, kur të flasim për Josip Brozin gjithmonë duhet të kemi parasysh se ai lindi në fshatin Kumrovc (Zagorjen kroate) nga një çift i përzier (baba kroat dhe nënë sllovene), dhe se, për shkak të varfërisë (lindi në një familje e cila pati katërmbëdhjetë fëmijë), ai fëmijërinë e kaloi te gjyshi i tij në Slloveni. Dhe, kur kthehet në vendlindje (në moshën nëntëvjeçare) e kishte harruar bile edhe kroatishten, andaj edhe ngeli në klasën e parë.

Gjithashtu, duhet patur parasysh se në kohën kur Josip Brozi u krijua (fundi i shekulli XIX dhe fillimi i shekullit XX – e ashtuquajture “Belle Epoque”), në Mbretërinë Austro-Hungareze shqiptarët nuk paraqiteshin negativisht (sikur bie fjala në Mbretërinë Serbe). Bile mund të thuhet se shqiptarët paraqiteshin me simpati.

Andaj, duke i pasur parasysh këto argumente, mund të thuhet se Josip Brozi nuk kishte ndonjë aversion të caktuar ndaj shqiptarëve, përkundër të themi moshatarëve të tij serbë (edhe ata komunistë), të rritur dhe krijuar në Mbretërinë Serbe, si p.sh.: udhëheqësi i çetnikëve Dragoslav Drazha Mihajloviqi i cili karrierën e tij ushtarake në dy luftërat Ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore, e zhvilloi duke masakruar shqiptarë; apo shkrimtari dhe diplomati Ivo Andriq; akademiku Vasa Çubriloviq; komunisti Aleksandër Rankoviq – i cili për një kohë të gjatë ishte bashkëpunëtori i më i ngushtë i Titos etj. Sepse, ata u krijuan në një sistem tjetër të vlerave shoqërore, ku ideologë i patën shqiptarofobët si Ilija Garashanin, Milan Piroqanacin, Vladan Gjorgjeviqin, Stojan Protiqin, Jovan Cvijiqin apo klerikët e shumtë sllavo-ortodoksë.

Karakteristikë tjetër e Josip Brozit, të cilin e shfaqi herët në jetën e tij, ishte dëshira për jetë luksi dhe aventura. Kishte dëshirë të dukej bukur. Prandaj, në fëmijërinë e tij e kishte ëndërr të bëhej rrobaqepës, por nuk gjeti mjeshtër që do ta pranonte si shegert. Punoi edhe si kamerier, sepse ata i dukeshin “sharmantë” me papijon, por nuk qëndroi gjatë në atë punë.

Është interesantë edhe një detal, kur më 1938 shkon në Stamboll për të shtypur një broshurë komuniste. Me ato para që ia kishte dhënë partia, ai bleu një unazë me diamante?!

Pati një mori aventura dashurie me femra të ndryshme gjithandej kah u soll, nga të cilat më e njohura ishte partizania serbe Davorjanka Paunoviq, U kurorëzua katër here: së pari me rusen Pelagija Belusova, pastaj austriaken Johana Kening, sllovenen Herta Has dhe së fundi me serben Jovanka Budisavjeviq.
Jetën lukse e jetoi pasi që u bë “perandor” i padiskutueshëm i Jugosllavisë dhe filloi t’i marr ndihmat nga perëndimorët.

Është interesantë se si titistët tentojnë ta paraqesin Titon si “demokrat”. Bile, disa shkojnë aq larg sa edhe e përshkruajnë atë si “jo komunist”. E shfrytëzojnë sidomos ndarjen me Stalinin (1948), e cila “de facto” ishte rezultat i ambicieve dhe “konflikt egosh”, duke e paraqitur si “konflikte parimesh”. Injorojnë faktin se Josip Brozi e shërbeu me besnikëri mentorin e tij, Josip Vrisarionoviqin (Stalinin) derisa nuk u forcua dhe nuk filloi t’i shpreh haptazi ambiciet për të dominuar Ballkanin. Fillimisht, duke tentuar ta fusë Shqipërinë e Bullgarinë nën sundimin e tij, e pastaj edhe Greqinë e pse jo edhe vendet tjera. Në këtë frymë, pas luftës këndohej kënga “Drug Tito/ Zasluzio da je Balkan njegov cio. I Evropu neko dio” (Shoku Tito e ka merituar Ballkanin të jetë i tij i tëri, dhe ndonjë pjesë të Evropës).

Po ashtu, injorojnë tërësisht faktin se Tito në krye të PKJ-së (Partisë Komuniste të Jugosllavisë) erdhi pikërisht si i përzgjedhuri i Kominternes (lexo: Stalinit), si stalinisti më i devotshëm jugosllav që ishte. Në atë post erdhi duke i futur në grackë dhe eliminuar fizikisht (pastrime staliniste) shumë udhëheqës të PKJ-së (të viteve 1930’ta), si Josip Çizhinskin (alias Milan Gorkiqin), Petko Miletiqin apo Sima Markoviqin etj. Ishte agjent i Kominternës dhe NKVD-së (KGB së Stalinit), ku veproi për shumë vite me nofkën Valter. Në mbledhjen kur u krijua OZNA (UDB), më 13 maj 1944, në Dërvar, prezentë ishin dy oficerët e lartë të NKVD-së, Burtakov dhe Timofejev; e në atë mbledhje Tito (ashtu siç vendosin perandorët) caktoi Rankoviqin kryeshef operative, ndërsa Slobodan Peneziqin (Kërcunin) kryeshef për Serbi. (Ivan) Stevo Karajçiqin e caktoi për Kroaci dhe Ivan Maqekun për Slloveni, e vet (u mor vesh) ishte “shefi i shefave” (capo dei capi), nën urdhrat e të cilit ata do t’i organizojnë dhe udhëheqin krimet si në Tivar, Srem, Kosovë, ashtu edhe në Blajburg, Goli Otok e gjetiu.

Madje, edhe më vonë kur bëhet kryetar i përjetshëm i Jugosllavisë, vendimet i merrte në bazë të këshillave dhe informatave që i merrte nga “fytyrat e fshehura” të cilat merreshin me informim-kontrainformim (udhëheqësit e KOS-it dhe UDB-së, si Ivan Mishkoviqi i cili udhëhoqi edhe hetimet ndaj gruas së tij, Jovankës), e jo në bazë të mendimeve të bashkëpunëtoreve të tij (komunistë) institucionalë.

Për më tepër, titistët e paraqesin Titon si “pro perëndimor” përkundër fakteve se Tito ishte pikërisht komunisti i parë i Lindjes, i cili deshi të fillojë luftën kundër Perëndimit (për Triesten dhe Korushkën). Madje, për ironi, në maj 1945, Stalini ishte ai i cili mezi e ndali atë për të mos e filluar atë luftë kundër ushtrisë anglo-amerikane. Gjithashtu, injorojnë faktin se Ushtria jugosllave më 1946 ishte ushtria e parë komuniste (dhe e vetmja) në Evropë që i rrëzoi dy avionët amerikanë, sikurse faktin se partizanët grekë arritën të rezistonin deri më 1948 vetëm duke ju falënderuar përkrahjes materiale nga Tito etj.

Shumë kontradiktorë janë titistët kur i shpjegojnë meritat e Kushtetutës së 1974. Shihet ashiqare një konkurrencë mes tyre se kush po i merr meritat më të mëdha. Jo rrallë dëgjojmë (lexojmë) se “filan udhëheqësi komunist shqiptar ka kërkuar nga Tito që Kosova të bëhet Republikë”, duke aluduar se avancimi i Kosovës ishte si rezultat i insistimit të tyre. Dhe, refuzojnë argumentet se avancimi i statusit të Kosovës ishte më shumë si rezultat i luftës për pushtet dhe rrezikimit të pozitës së Titos nga Rankoviqi dhe klanit tij, se sa nga kërkesat (që mbase mund edhe të ishin?!) e udhëheqësve komunistë kosovarë!

Injorojnë faktin se derisa Rankoviqi me klanin e tij e shërbyen Titon, si “shpërblim” ai ua la atyre Kosovën dhe disa territore tjera. Dhe atëherë kur Rankoviqi tentoi t’ia marri fronin Titos, ai reagoi duke e larguar atë (si bashkëpunëtorin më të ngushtë që e kishte) dhe duke e decentralizuar Jugosllavinë.

Për më tepër, janë groteske tentimet e “fansave të Titos” kur për të gjitha të këqijat që i ndodhën shqiptarëve në Jugosllavinë e Titos, t’i akuzojnë udhëheqësit komunistë serbë dhe ta shfajësojnë tërësisht atë. Qoftë për masakrat që u bënë në emër të “luftës kundër reaksionarëve”, me çka me dhjetëra-mijëra shqiptarë të pafajshëm u vranë, qoftë edhe për aksionin e mbledhjeve të armëve apo shpërnguljen e shqiptareve në Turqi etj. Thuajse nuk ishte Tito, ai vet, që u mor vesh me kryeministrin turk Adnan Menderes (të realizuar nga ministrat Popoviq-Koperly) për “shpërnguljen e turqve dhe myslimanëve nga Jugosllavia”, për çka në periudhën 1953-65 u shpërngulën mbi 450 mijë shqiptarë. Injorojnë faktin se “Jugosllavia ishte e Titos” që d.m.th., se asgjë s’ka mundur të ndodhë pa dijeninë apo miratimin e tij. Ashtu siç pati deklaruar Milovan Gjilas, (i cili për kohë të gjatë ishte njëri nga bashkëpunëtoret më të ngushtë të tij): të gjitha veprimet madhore politike (qofshin vrasjet apo burgosjet masive) në shoqërinë jugosllave, ishin ndërmarrë nën urdhrin e Titos, i cili ishte institucioni i vetëm shtetëror i cili mund të vendoste për gjëra të tilla”.

 

Exit mobile version