Telegrafi

DiCaprio i gëzuar me shndërrimin e Vjosës në Park Kombëtar: Do të bëhej një shembull për Strategjinë e Biodiversitetit

(Foto: Instagram/leonardodicaprio)

Ylli i madh i kinematografisë botërore, Leonardo DiCaprio, është shprehur i kënaqur me lajmin që lumi Vjosa mund të shpëtohet nga zhvillimi i hidrocentraleve dhe të shndërrohet në një Park Kombëtar.

Ka kohë që hamshori hollivudian është përfshirë në kauzën për mbrojtjen e këtij lumi, ndërsa së fundmi ai i është referuar deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se është pro krijimit të një Parku Kombëtar në Vjosë dhe se hidrocentralet nuk do të ndërtohen.

“Qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë!”, kishte shkruar Rama në Twitter.

(Foto: Twitter/Edi Rama)

Duke iu referuar kësaj deklarate, DiCaprio e ka shpërndarë një fotografi me mbishkrimin “Vjosa, jo digat” dhe ka shpjeguar se projekti për digën e Kalivaçit është refuzuar nga Ministria e Mjedisit.

Lexo po ashtu Leonardo DiCaprio i bashkohet kauzës për mbrojtjen e lumit Vjosa në Shqipëri

Sipas aktorit, në këtë mënyrë, Parku i Vjosës do të bëhej konservati më i madh evropian për ruajtjen e lumenjve që mbulon disa qindra kilometra lumenj dhe përrenj dhe mbron qindra apo edhe mijëra specie si ngjala evropiane e rrezikuar globalisht dhe flutura Vjosa e zbuluar së fundmi.

“Kjo do të ishte një arritje e madhe për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Evropës dhe parku do të bëhej një shembull për Strategjinë e Biodiversitetit brenda kornizës së Marrëveshjes së Gjelbër”, ka shkruar mes tjerash DiCaprio. /Telegrafi/