Telegrafi

DiCaprio bëhet i padëshiruar në Indonezi, kërcënohet me ndalim të hyrjes (Foto)

Aktori hollivudian, Leonardo DiCaprio, i ka provokuar autoritetet indoneziane duke i kritikuar në rrjetet sociale për moskujdes ndaj mjedisit jetësor.

Fituesi i Oscarit, i cili është një aktivist për mbrojtjen e ambientit, ka qëndruar në ishullin Sumatra, ndërsa fotografitë e vizitës i ka publikuar në rrjetet sociale.

Me këtë rast, ai ka shprehur shqetësimin për mjedisin jetësor. “Është e tmerrshme që të shkatërrohen pyjet dhe rrugët për migrimin e elefantëve”, ka thënë mes tjerash DiCaprio.

Deklaratat e tilla nuk u kanë pëlqyer zyrtarëve të vendit, të cilët e kanë kërcënuar se mund t’ia ndalojnë hyrjen në Indonezi.

“E mbështesim shqetësimin e tij për mbrojtjen e ekosistemit. Por, nëse vazhdon me provokime në deklaratat e tij, do t’ia ndalojmë hyrjen në vend”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë për Ligj dhe të Drejta Njerëzore.

Diçka e ngjashme kishte ndodhur në vitin 2013 edhe me Harrison Ford, i cili pas kritikave ishte kërcënuar me deportim nga Indonezia. /Telegrafi/